KPP rrëzon bashkinë Tiranë për tenderin e fushës së tenisit, fut në garë kompaninë me ofertë më të ulët
Edhe tenderi për krijimin e një fushe tenisi në parkun e Liqenit Artificial ka përfunduar me skualifikimin e gjithë kompanive veç fituesit. Por këtë herë është Komisioni i Prokurimit Publik që i ka vënë veton Agjencisë së Parqeve të Bashkisë, duke kthyer në garë subjektin që propozoi ofertë më të ulët.
Në një tjetër tender ku skualifikohen të gjithë konkurentët rezulton të jetë zhvilluar nga institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë, i shoqëruar më pas edhe me ankesa.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka hapur së fundmi procedurën për ndërtimin e një fushe tenisi në parkun e Liqenit Artificial me fond limit 37 milionë e 293 mijë lekë.
Thirrjes i janë përgjigjur 8 operatorë ekonomikë. 7 kompanitë që kishin paraqitur ofertë më të ulët janë skualifikuar, duke lënë kështu në garë vetëm një bashkim operatorësh, GAC dhe Everest shpk të cilët ofertuan 37 milionë e 93 mijë lekë, me një diferencë të vogël nga fondi limit.
Pas skualifikimit rezulton se Leon Konstruksion ka paraqitur ankesë pranë Autoritetit Kontraktor, të cilit i argumenton se skualifikimi për mosplotësimin e kapacitetit teknik, nuk qëndron.
Por sërish, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit i komunikon subjektit se ankesa nuk do të merret parasysh, çka ka bërë që ankesa të shkojë në Komisionin e Prokurimit Publik.
Ndryshe nga Agjencia e Bashkisë, KPP e ka konsideruar të drejtë pretendimin e subjektit, duke e rikualifikuar në garë.
Madje duke i lënë afat Autoritetit Kontraktor 10 ditë për ta vënë në dijeni mbi zbatimin.