Xhemollari: Kalimi i mësimit online do të jetë shkatërrues për këtë brez, qeveria kishte 6 muaj të përgatitej
I ftuar në RTV Ora, Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare u shpreh se vendimi për mësimin online në universitete ka shkaktuar kosto dhe ishte i papritur.
Ai tha se mësimi online sipas studentëve ishte jo efikas dhe se 50% e studentëve nuk ka mundësi që të ketë qasje në internet.
Xhemollari: Protesta e sotme e studentëve erdhi pas vendimit të komitetet të ekspertëve 3 ditë para fillimit të vitit të ri akademik. Ky ishte një vendim që ka shkaktuar kosto të madha te studentët. Ata do të protestojnë derisa të plotësohen kushtet e tyre. Sot lejohen pishinat e mbyllura, kafet, restorantet dhe tubimet partiake. E vetmja gjë që ndalohet është dija dhe e drejta për të mësuar, pasi edhe protesta është ndaluar nga policia.
Pas shëndetësisë ne mendojmë se arsimi është prioritar. Ne mendojmë se ka mundësi për një mësim të alternuar. E pamë që komplet online, mësimi ishte jo efikas sipas 85% të studentëve. Në vendin tonë mungojnë kushtet teknike dhe ekonomike për të zhvilluar mësimi online, pasi 50% e studentëve, nuk kanë qasje në internet deh rrjedhimisht përjashtohen nga mësimi online. Po ashtu, 1 në 3 persona nuk ka një pajisje teknologjike si lap top. Për të mos shtuar këtu cilësinë dhe metodologjinë e mësimdhënies.
Xhemollari shtoi se kalimi komplet online do të jetë shkatërrues për këtë brez, pasi u provua një vit pas tërmetit.
Xhemollari: Kalimi komplet online do të jetë shkatërrues për këtë brez, pasi u provua një vit pas tërmetit. Nëse vazhdojmë kështu, do të kemi një brez me shumë mangësi. Shumë profesione e kanë bazën te praktika dhe dëmi do të jetë shumë më i madh. Pushtetarët duhet të jenë të sinqertë me studentët. Ata nuk mund ta parashikojnë se dhjetori do të jetë më i mirë se nëntori sepse sipas ekspertëve pritet që të ketë rritje të rasteve.
Kemi rastin e Kosovës, ku në mars, dy ditë më pas, universiteti i Prishtinës kaloi në një platformë online që ishte përgatitur nga IT-të e universitetit. Në vendin tonë kjo nuk është ende një gjë e tillë, edhe pse janë shpenzuar më shumë para. Po ashtu, ministria kishte 6 muaj në dispozicion për t'u përgatitur, por mesa duket nuk e ka bërë këtë gjë.