Universitetet online, Stefa: Kriminale të njoftosh studentët 3 ditë para, ku do ta ngulin gjilpërën të Infermierisë, në kukulla?

Njoftimi i mësimit online në Universitete vetëm 3 ditë para nisjes së vitit të ri akademik, për ekspertin e arsimit Ardi Stefa në rastin më të mirë është papërgjegjshmëri e Ministrisë së Arsimit, ndërsa në rastin më të keq, kriminale.

Për Ora News, Stefa nënvizon se studentëve të rretheve u është dashur të shpenzojnë  shuma të kripura parash për akomodimin e tyre në kryeqytet.

Stefa: Është e trishtë tu urosh studentëve vitin e ri akademik kur ata do ta nisin online në ekranin e një laptopi, celulari apo tabletë.Unë jam pro protestave të cilat janë paqësore, demokratike dhe që edhe në kushtet e një pandemi bëhen konform rregullave. Kërkesat e që kanë paraqitur studentët janë premtimet e pambajtura të qeverisë në protestat e studentëve para dy vitesh. MAS e kishte detyrimin moral dhe ligjor që të mos i njoftonte studentët për mësim online 2-3 ditë para se të fillonte viti i ri akademik.

Studentët kanë ardhur dhe kanë kryer shpenzime të jashtëzakonshme për të gjetur banesat me qira, për ti paguar për 3-6 muaj. Tu thuash këtyre studentëve që viti akademik do të jetë online në rastin më të keq është kriminale, në rastin më të mirë është e papërgjegjshme. Është e papranueshme të luash me fatin e këtyre studentëve.Përgjysmimi i tarifave është një kërkesë e tyre e drejtë dhe e hershme që qeveria duhet ta shqyrtonte para se studentët ta artikulonin sot. Si mësues dhe pedagog jam krah studentëve, krah prindërve të tyre që e duan dijen në auditore por për fat të keq sivjet vështirë se do të realizohet.

Një nga kërkesat e studentëve në protestën e sotme ishte që praktikat të zhvillohen në auditore. Në një linjë me ta, Stefa thotë se ka degë specifike që e pamundësojnë zhvillimin online.

Stefa: Janë disa degë që e kanë të domosdoshme praktikën e gjallë, praktikën në terren. Studentët e infermierisë ku do ta ngulin  gjilpërën, në kukulla? Po studentët e inxhinierisë, të kimisë në çfarë laboratoresh do ti bëjnë eksperimentet kimike. Është e palogjikshme. Këtë vit mësimi duhej zhvilluar i kombinuar. Praktika në auditore dhe leksionet online.

Intervista në studio me gazetaren Siklajda Shorja, përgatiti për online Besjana Kuçana