Basha me studentët: Mësimi online duhej njoftuar më herët, zgjedhjet në universitete një proces fiktiv

Në ditën e parë të vitit akademik, Lulzim Basha, bashkëbisedoi me të rinj në Qytetin Studenti, ndërsa tha se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për zhvillimin e mësimit online. Basha u njoh nga të rinjtë me problemetqë ata hasin, ndërsa u premtoi se me qeverinë e PD-së 10 mijë të rinjve do tu paguhet stazhi. Lideri i opozitës akuzoi sërish qeverinë për situatën me Covid-19.

Ditën kur  nisi viti akademik, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me të rinj në Qytetin Studenti. 

Ai i cilësoi si të vonuara masat për  mësimin online, ndërsa tha se mosnjoftimi në kohë i  ndikoi ekonomikisht çdo studenti.

Basha: Duhej një përkushtim shumë më i madh, duhej një përgatitje. Kanë pasur të gjithë muajt e verës për tu përgatitur, gjithë muajt e verës për ti dalë përpara. Por në vend që të merrte masa për të përgatitur infrastrukturën, kjo kohë u harxhua duke bërë propagandë, sulme politike, dhe çfarë është më e keqja duke u marrë lek nga taksat e shqiptarëve dhe duke i çuar ato në parajsa fiskale.

Kreu i opozitës tha se nesër në pushtet, do të garantojë pavarësi të plotë për universitete, ndërsa premtoi stazh të paguar për 10 mijë studentë.

Kryetari i opozitës, tha se nuk i njeh zgjedhjet në universitete, duke e cilësuar procesin fiktiv ndërsa shtoi se me 76 milion euro që u janë dhënë inceneratorëve, mbulohen tarifat e të gjithë studentëve. 

Basha: Një platformë që të gjithë studentët dhe studentët që vijnë nga familje me më pak se 640 mijë lekë të vjetra të ardhura në maj do tu subvencionohet 100% tarifa për Master dhe Bachelor dhe për ata që vijnë me të ardhura mbi 640 mijë lekë do tu përgjysmohet tarifa. Ja ku është një përdorim më i mirë i lekëve sesa t'ua japësh ato mafies së plehrave.

Në lidhje me menaxhimin e situatës së krijuar nga  Covid-19, kryeministri Edi Rama, iu përgjigj Bashës në rrjete sociale.

Rama: Lulzim Basha është kapur pas Covidit si i mbyturi pas fijes së barit dhe pretendon se ai do ta kishte ndaluar valën e dytë, ndërkohë që nuk ndalon dot as aleaten e tij në fushatën e saj për përhapjen e Covidit! Mirë u çmendën po pse të gjithë njëherësh,thoshte Shvjeku i shkretë.