“Incidente” në ujërat shqiptare, jahti me flamur amerikan e udhëtarë rusë ndalohet në Jug
Dy veliera turistike janë sekuestruar në ujërat tona territoriale në harkun e pak ditëve. Pas mjetit të braktisur në Shëngjin, një anije me flamur amerikan por me udhëtarë rusë, u ndalua në jug të vendit për shkelje të ujërave territoriale. Gjatë marrjes në pyetje ata mësohet se kanë deklaruar se udhëtonin nga Turqia drejt Malit të Zi, por u mbaroi karburanti.
Një velierë turistike është ndaluar nga Roja Bregdetare për shkelje të ujërave territoriale shqiptare.
Mjeti lundrues me emrin 'Medusa Delawere' mban flamur amerikan, por brenda saj mësohet se udhëtonin 4 shtetas rusë dhe ukrainas.
Ata janë ndaluar dhe janë marrë në pyetje nga autoritetet.
Burimet bëjnë me dije se ata kanë deklaruar se ishin nisur nga Turqia Drejt Malit të Zi, por u ka mbaruar karburanti dhe kanë hyrë në ujërat territorialë shqiptare për tu furnizuar.
Por ky veprim i palajmëruar cilësohet vepër penale i shkeljes së kufirit.
Veliera ndodhet e ankoruar në portin e Vlorës, ku do të qëndrojë e bllokuar deri në përfundimin e hetimit për sqarimin e situatës.
Pak ditë më parë në velierë u gjet e braktisur në Patok, ku nga verifikimet u zbulua se me të udhëtonte një shtetas francez.
Ky i fundit gjatë marrjes në pyejte deklaroi se Kroacia drejt Shqipërisë për arsye turistike, por mjeti lundrues kishte shfaqur probleme.
Ai ka thënë se e ka lënë aty duke vijuar më tej udhëtimin drejt Sarandës me disa miq, dhe kur u kthye mësoi se mjeti ishte sekuestruar. Policia e Prokuroria e Lezhës thonë se kanë nisur një hetim në bashkëpunim me shërbimet homologe për të verifikuar mjetin dhe pronarin e pretenduar.