Kuvend/97 deputetë “rrëzojnë” Metën për ndryshimet në Kod. Rama: Presidenti do të hedhë në erë zgjedhjet

Kuvendi me 97 vota ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor. Mazhoranca ka arritur të sigurojë të njëjtin numër votash me të cilat miratoi Kodin në 5 tetor.

Pasi u sigurua se dekreti mori votat e mjaftueshme kundër, ish-aleati i tij, Edi Rama hodhi akuza të rënda ndaj presidenti Ilir Meta.

Rama: Sa i përket përpjekjes së Metës për ta bllokuar këtë proces duke e çuar në komision të Venecias, ky tregon se ku do të dalë ai. Do të dalë aty ku  faktikisht deshte të dalë edhe më parë të hedhë në erë zgjedhjet. Si te presim ne venecian kur ligji ka kaluar dy javë përpara? Për çfarë janë të tronditur nuk arrij ta kuptoj. Janë të keq informuar qëllimisht duke shfrytëzuar dhe marrëdhëniet ndërpartiake.

Socialistët do të mirëpresim opinionin e Venecias në dhjetor, por në zgjedhjet e 25 prillit sipas liderit të mazhorancës do të shkojnë me këte Kod.

Rama: Kur të vijë opinioni i Venecias do e shohim dhe nëse ka nevojë do e hapim diskutimin nga e para, por zgjedhjet e 25 prillit nuk presin më diskutime, as Këshill Politik. Nuk do i gjej parlamenti aq fitimtar që do ketë ky parlament, se 100 i merr Monika, të tjera Lulit, kështu që me siguri në 25 prill ne nuk do kemi vend dhe ju do jeni mbledhur te Pallati i Kongreseve për të hapur sesionin e ri. Nuk di se si mund të trajtohet ndryshe kjo situatë, sa e qartë aq qesharake nga Meta. Kam vetëm një detyrim ndaj demokratëve.

Rama vijon me aludimet ndaj opozitës së bashkuar, duke ju thënë zgjedhësve se po votuan kreun e PD-së, do të marrin në paketë edhe Presidentin.

Rama: Ke çokollatën, hap çokollatën të del Ilir Meta brenda. Luli është në pritje që biologjia të kryejë rrotacionin. Unë të largohem nga jeta dhe Luli si pasojë e biologjisë të bëhet Kryeministër.

Pasi ju mori votat për ndryshimet kushtetuese dhe më pas Kodin Zgjedhor, Edi Rama shpreh mirënjohjen e tij ndaj deputetëve të opozitës, që pa shumë mundim bashkuan votat e tyre me socialistët.

Rama: Ju nuk ekzistoni sipas Ilir Metës, sipas meje ju jeni një aksident i dobishëm sepse falë jush ne kemi arritur të bëjmë atë që nuk do ta kishim bërë dot nëse këtu do të ishte Monika, Luli dhe shokët e tyre.

Mazhoranca është e vendosur që në zgjedhjet e 25 prillit të shkojnë me koalicione parazgjedhore vetëm me listë të përbashkët, pikë mjaft e kundërshtuar nga PD si dhe presidenti Ilir Meta.