Rama dy mesazhe brenda orës për grevistet: Nuk ju kam ftuar për negociata, rafineria nuk është e shtetit

Kryeministri Edi Rama në një kohë të shkurtër ka shkruar dy mesazhe për grevistet e Ballshit.

Rama ka thënë se nuk i ka thirrur për negociata, sepse sipas tij nuk kanë çfarë të negociojnë, teksa ka vijuar me idenë se rafineria ka qenë pronë private dhe jo e shtetit.

Kreu i qeverisë ka shtuar se nuk i ndihmojnë dot më shumë se sa me një asistencë.

"Edhe njëherë: Nuk ju kam ftuar në asnjë negociatë, sepse nuk kemi asgjë për të negociuar pasi qeveria as nuk e ka shkaktuar hallin tuaj, as nuk trashëgon mbi vete problemin e krijuar nga kompania private! Rafineria nuk është e shtetit. Ju lutem na jepni mundësinë t'ju ndihmojmë!

Ideja se punonjësit e një kompanie private mund të bëjnë grevë kundër qeverisë për detyrimet e sipërmarrësit privat është e gabuar. Ju nuk e doni daljen në asistencë dhe e mirëkuptojmë, por ju'a përsëris, pa mbyllur grevën nuk ju'a qajmë dot hallin konkretisht përtej asistencës!", thotë Rama në Twitter.

Pak më parë kryeministri i bëri edhe njëherë thirrje për mbyllje të grevës, teksa në Ballsh mbërriti Rudina Hajdari dhe artistët e Teatrit Kombëtar.

LEXO EDHE: “Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë”, Rama sërish mesazh grevistëve të Ballshit: Mbyllni grevën dhe do jem aty menjëherë

Artistët e teatrit mbërrijnë në Ballsh, naftëtarët i presin me duartrokitje. Budina: Jeni në të drejtën tuaj, e di ç’do të thotë të të shfrytëzojnë