"A i trembeni përballjes me Zonjën e Hekurt?", Basha i prerë ndaj Topallit: Nuk kam kohë për të humbur me këtë çështje

Me mosblerjen e tamponëve, me moshapjen e spitaleve, Luzlim  Basha, thotë se qeveria dhe kryeministri Edi Rama është  përgjegjëse e  drejtpërdrejtë  për vdekjen e qytetarëve nga Covid-19. Basha tha se Rama dhe oligarkët pranë tij po pasurohen mbi fatkeqësinë. Kryetari i PD-së, komentoi edhe lëvizjen politike të Jozefina Topallit.

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, prezatoi  “Lëvizjen për Ndryshim”, si  një mundësi për shqiptarët, kundër  dominimit të politikës  nga tri partitë kryesore.  

Por a e shqetëson Lulzim Bashën, përballja  me këtë lëvizje të re politike,  e cila drejtohet nga emri që ai në vitin 2017 e nxori nga parlamenti.

Pyetje: Një ditë më parë ish-nënkryetarja e PD, zonja Jozefina Topalli ka zyrtarizuar lëvizjen më të re, Lëvizjen për Ndryshim, duke u bërë pjesë aktive e politikës. A i trembeni ju një përballje me atë që dje është cilësuar si zonja e hekurt në selinë blu, në garën elektorale të 25 prillit, pasi në fjalën e saj mbrëmë zonja Topalli ju shpalli luftë të hapur edhe ju si lider i opozitës?

Lulzim Basha: Jo! Pyetja e dytë.

Pyetje: A besoni ju vërtet zoti Basha, sikundër gazeta e partisë tuaj RD, se lëvizja e zonjës Topalli apo partia e zotit Patozi janë vërtet parti kukulla të Edi Ramës?

Lulzim Basha: Nuk kam kohë për të humbur as me këtë çështje, as me asnjë person. Kam prioritete të tjera. Prioritetet e mia i përcakton interesi publik, nuk i përcakton askush tjetër.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, bashkëbisedoi sërish me gazetarët, ndërsa e cilësoi kriminale mënyrën se si qeveria po e menaxhon situatën me Covid-19.

Lulzim Basha: Edi Rama e ka çuar në kolaps shëndetësinë, ka çuar testimet në nivelin më të ulët dhe nuk ka nevojë as për recetën time, as për faktet e mia.

Në një kohë kur Shqipëria, tha Basha, është e fundit në rajon dhe në Europë për testet e Covid-19 dhe kur vendi po zhytet ne krizë, qeveria vijon të japë para për koncesionet korruptive.

Lulzim Basha: Ja hajdutët prapë kanë marrë 600 e ca mijë euro, para dy ditësh. Ja ku i keni lekët. Ja ku janë paratë e shqiptarëve.

Lulzim Basha ripërsëriti për të disatën herë thirrjen për drejtësine, që të nisë hetimet për abuzimet e atyre që i quan të babëzitur dhe që po pasurohen mbi fatkeqësinë.  

Lulzim Basha: Të hapin gojën ose të hapin krahun, se nuk janë aty për të përpirë taksat e shqiptarëve, për të qëndruar të paralizuar nga mafia e plehrave, por janë aty për t’iu thënë shqiptarëve me fakte se çfarë po bëjnë për të ndalur këtë hemorragji fondesh. 

https://youtu.be/KTouypCFjTg