Artistët e teatrit mbërrijnë në Ballsh, naftëtarët i presin me duartrokitje. Budina: Jeni në të drejtën tuaj, e di ç'do të thotë të të shfrytëzojnë

Grevistët e naftës u mbështetën këtë të enjte nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e deputetja Rudina Hajdari. Ndërsa vijuan replikat me kryeministrin Rama pa gjetur ende mundësinë e zgjidhjes. Naftëtaret refuzuan sërish kërkesën për të lënë grevën, duke thënë se vetëm të vdekura dalin prej aty.

Në ditën e 15 të grevës së urisë, gratë naftëtare në Ballsh janë mbështetur nga artistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Duke e cilësuar një turp të madh, mosvëmendjen e qeverisë ndaj naftëtarëve, aktorët i kanë inkurajuar gratë greviste që ta çojnë deri në fund kauzën e tyre.

 Edmond Budina: Nuk është çështje heroizmi. Ju jeni në të drejtën tuaj. Keni punuar dhe nuk iu japin rrogën. Ky është një krim karshi jush. Ata duhet t’ju japin rrogat, pastaj bisedimet. Nuk kemi ardhur këtu për vota, por iu ndjejmë shpirtërisht sepse jemi njëlloj si ju. Vazhdoni të mbroni të drejtat tuaja, se vetëm kështu mund të fitoni. Mos ti lini fëmijët tuaj rrugëve. Kam punuar 20 vjet në perëndim dhe e di se çfarë do të thotë të mos të të paguajnë, të të shfrytëzojnë.

Mehdi Malkaj: Keni mbështetjen tonë pa fund.

Të enjten, në Ballsh ka shkuar edhe deputetja Rudina Hajdari

Rudina Hajdari: Mundësinë që më jepen do ta shfrytëzoj për të ngritur shqetësimin tuaj . Zërin tuaj do ta coj edhe te nderkombëtarët. Këta kujtojnë që duke mashtruar njezërit dhe trupën diplomatike kujtojnë se do ja dalin. Për të shkuar në BE këto janë kushtet minimale që duhet të përmbushin.

Kryeministri e naftëtaret vijuan replikat në distancë pa i dhënë asnjë zgjidhje situatës

Edi Rama: Ideja se punonjësit e një kompanie private mund të bëjnë grevë kundër qeverisë për detyrimet e sipërmarrësit privat është e gabuar. Ju nuk e doni daljen në asistencë dhe e mirëkuptojmë, por ju'a përsëris, pa mbyllur grevën nuk ju'a qajmë dot hallin konkretisht përtej asistencës.

Por përgjigja e grevisteve ishte e prerë.

Grevistja: Grevën nuk e lëmë derisa të arrijmë kauzën tonë, të fitojmë pagat e prapambetura me gjyq. Nuk ka diskutim, nuk ka negociim, nuk ka bashkëbisedim.

Janë rreth 950 naftëtarë që prej vjeshtës së vitit të kaluar janë pa punë dhe pa paguar.

https://youtu.be/ZQfi8PDcneA