Grabisnin të veshur si “policë”, gjykata e Vlorës liron dy prej të arrestuarve, tre mbahen në qeli

Gjykata e Vlorës ka ndarë grupin e 5 të rinjve të akuzuar si pjesë e grupit që grabiste në Selenicë, me veshje të ngjashme me atë të Policisë së Shtetit. Tre u mbajtën në qeli, ndërsa dy u liruan me detyrim paraqitje.

Gjykata e Vlorës vendosi të mbajë në qeli vetëm 3 nga 5 personat e akuzuar si pjesë e një grupi që kryente vjedhje në Selenicë të veshur nën uniformë policie.

Gjyqtarja, Mirela Mishgjoni, caktoi masën e sigurisë ndaj Ervin Dhimës, Enerik Meçajt dhe Alfred Shametajt.

Ndërkohë që masa më e lehtë është vendosur për Endrit Sinajn dhe Lulëzim Elmazajn.

Gjykata vlerësoi se arrestimi i tyre nuk është kryer në kushte flagrance dhe e vetmja lidhje që ka paraqitur policia është lidhja miqësore mes tyre.

Personat u arrestuan më 27 tetor, të akuzuar si bandë e përfshirë në një seri grabitjesh të dhunshme në fshatrat e Selenicës.

Njëri prej tre të akuzuarve të tjerë rezulton pronar i njërës prej makinave të përdoruara për grabitje.

Por policia nuk arriti të gjejë armët që ata dyshohet se përdoren kur tentuan të grabisin familjen e Fidel Çaushajt dhe vëllait të tij në fshatin Hadëraj.

Ata denoncuan se autorët i dhunuan dhe i kërcënuan me armë, ndërsa gjatë ndjekjes, nga anëtarët e familjes Çaushaj një prej mjeteve përfundoi në një greminë.