Lëvizjet me monopatinë po kthehen në burim aksidentesh

"Lëvizja e mjeteve me motorr me bateri, të cilët po hyjnë në një formë shumë të shpejtë dhe a janë kontrolluar ndonjëherë a kanë leje ndërtimi apo jo? Sepse këto mjete duhet të kenë leje ndërtimi, pavarësisht moshës së atyre që e përdorin", është shprehur eksperti Fatmir Hasho

Ministria e Brendshme ka reaguar menjëherë pas shqetësimit të ngritur të martën nga eksperti Fatmir Hasho i cili i bëri thirrje autoriteteve të jenë më të vëmendshëm dhe të nisin kontrollet ndaj biçikletave dhe motorëve elektrikë të cilat së fundmi janë kthyer në potencial aksidentesh.

Sandër Lleshaj: "Mungesa e mjeteve mbrojtëse për çiklistët dhe motoçiklistët është burim i madh i fataliteteve dhe i aksidenteve të tjera. Tani nuk dua t’ju them se si është kjo gjendje në Shqipëri, e dini më mirë se unë, sepse i shihni përditë sesi udhëtohet në Shqipëri, në biçikletë apo në motoçikletë"

Sipas autoriteteve gjendja është e rëndë pasi përdoruesit e mjeteve elektrike apo biçikletave nuk përdorin rrugët e dedikuara, por lëvizin në hapësirën e dedikuar automjeteve.

Sandër Lleshaj: "Ato tashmë do të lëvizin në rrugët e dedikuara dhe jo atje ku është rruga e dedikuar të dalin në krah tjetër, sepse është ngushtuar hapësira në përdorim të automjeteve tashmë dhe u është dhënë hapësirë për çiklistë"

Një tjetër shqetësim i drejtuesve të ministrisë dhe policisë janë parkimet dyshe për të cilat u kërkojnë efektivëve t'i luftojnë njësoj si rastet e mosmbajtjes së maskës anti-covid, por pa dhënë një zgjidhje apo sugjerim se ku mund të parkojnë drejtuesit e mjeteve.