Ushtronin aktivitetet të paligjshëm të lojërave të fatit, arrestohen dy persona

Janë vënë në pranga dy shtetas të dyshuar për zhvillim të aktivitetit të paligshëm të lojrave të fatit.

 Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim të operacionit "Fati i lojërave", në aksin rrugor Milot - Thumanë, shërbimet e Policisë  kanë sekuestruar 32 makineta,  një sasi të konsiderueshme vlerash monetare dhe 3 kasaforta të mbylluara.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

"Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga informacionet e adresuara nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produktit të veprës penale, Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat Policore të DVP Lezhë dhe ato të Komisariatit të Kurbinit, të mbështetura nga forcat speciale RENEA, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në disa lokale dhe ambiente në Kurbin, Milot dhe Lezhë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. P., 28 vjeç, banues në Mamurras dhe shtetasin A. K., 40 vjeç, banues në Thumanë", njofton Policia.