"Deti"/ Krisafi për RTV Ora: Konsultimi me presidentin i domosdoshëm. Është çështje shtetesh, jo qeverish
Para se Kryeministri Edi Rama të hedhë firmën e tij në dokumentin e dakordësuar me Greqinë për t’u drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, duhet fillimisht të konsultohet me aktorë vendas dhe të huaj. Pavarësisht tensioneve, Rama do të jetë i detyruar të ulet me Kreun e Shtetit për çështjen e kufirit detare, një hap i rëndësishëm dhe me interes Kombëtar.
Kështu është shprehur në një intervistë për RTV Ora, eksperti i së drejtës ndërkombëtare Ksenofon Krisafi.
“Me çdo kusht të konsultohen me presidentin e Shqipërisë që është kryetar i shtetit. Është çështje midis dy shteteve, nuk është çështje midis dy qeverive. Autoriteti kompetent është presidenti, për të autorizuar ”, shprehet Krisafi.
Eksperti i të drejtës ndërkombëtare shton se, deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë, madje Rama nuk është konsultuar as me anëtarët e grupit negociator.
“Minimumi i minimumit, duhej të ishte thirrur grupi negociatator i palës shqiptare”, shton Ksenofon Krisafi.
Çështja e detit nuk është vetëm në interes të një partie, por duhet patur kujdes sipas Krisafit, pasi në të kundërt mund të përsitetet historia e 2009.
“Nuk ma do mendja se ka një njeri me mend në kokë ti bjerë murit me kokë dhe të marrë përsipër pasojat e përgjegjësive të tilla siç ndodhi me Marrëveshjen e 2009-ës. Doli në dritë dhe u pa që ishte një skandal, një gafë e madhe politike dhe juridike dhe ra, u përmbys”, shton eksperti.
Vajtja përballë Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, Shqipërisë do t’i kushtojë shumë dije dhe para. Vendi ynë duhet të përgatitet për një betejë të ashpër diplomatike dhe juridike.
“Qeveria shqiptare duhet të bëjë mirë llogaritë dhe jo vetëm llogaritë nga ana formale por edhe llogaritë nga ana financiare sepse kjo do të ngarkojë një ngarkesë shumë të rëndësishme. Absolutisht e domosdoshme që Shqipëria të rekrutojë specialistë, juristë të shquar dhe avokatë nga më të mirët nga vende të ndryshme të botës”, këshillon Krisafi.
Edhe pse sipas Ksenofon Krisafit, vajtja në Hagë është zgjidhja e duhur, pasi shmang kushtet e vendosur në tavolinë nga fqinji ynë për interesat e saj.
Eksperti i të drejtës ndërkombëtare hedh dyshime edhe mbi premtimin e dhënë për të disatën herë nga Greqia për të hequr ligjin e luftës.
“Na ka mashtruar, na ka gënjyer! Na gënjeu në 1986-87 kur tha “u hoq ligji i luftës”. Na gënjeu në 2002, na gënjeu dhe më pas. Duhet hequr ligji i luftës sepse ai pengon shqiptarët dhe grekët që kur të ulen në tavolinë të jenë 100% të barabartë”, shprehet eksperti i së drejtës ndërkombëtare.
Krisafi këshillon kryeministrin Edi Rama që në këtë proces të përfshijë çdo aktor, pasi i kujton se nuk mund të bëhet lojëra me drejtësinë ndërkombëtare.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, kryeministri Edi Rama do të shprehej sot se, "Çështjen e detit nuk e ka hapur Greqia por Shqipëria. Për Greqinë kjo çështja ka qenë e mbyllur me marrëveshjen e Saliut, Lulit dhe Ilir Metës. Greqia nuk ka pasur më shumë pretendime sesa mori. Atë çështje e rihapa unë së bashku me PS në opozitë dhe me disa aleatë të asaj kohë".
Sipas tij, është rënë dakord edhe me palën greke që kjo çështje të gjykohet nga instancat ndërkombëtare.
"Kështu që më në fund pala greke ra dakord me ne, me qeverinë e mëparshme nuk kemi arritur dakord, por me këtë ramë dakord që ta çojmë para drejtësisë ndërkombëtare, në duart e një gjykata që ka ekspertizën për të dhënë drejtësi për këtë probleme", tha ndër të tjera Rama.
/OraNews