Lezhë/ Bashkia premtoi ngritjen e 2 pallateve, ende asgjë konkrete

Pallati 88 në lagjen Skëndërbeg të qytetit të Lezhës u shemb në muajin korrik pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit të shkuar. Asokohe,  kryebashkiaku Pjerin Ndreu premtoi nisjen e shpejtë të rindërtimit me fonde të siguruara nga vetë bashkia

Pjerin Ndreu: "Do të investojmë 2 milion euro në ndërtimin e minimalisht 40 banesave të reja"

Por kur kanë kaluar gati 1 vit nga tërmeti puna ende nuk ka nisur.

Pasi qëndruan disa kohë në qiell të hapur, banoret thonë se janë strehuar në banesa me qira në kushte aspak të përshtatshme.

"Për gati një muaj kam qëndruar duke fjetur në rrugë të madhe me burrë të sëmurë, me kalamanj. Nuk kam pasur ku të shkoj", shprehet banorja.

Ata thonë se premtimet e bashkisë për rindërtimin kanë qenë të vazhdueshme, por ende nuk kanë një datë se ku do të kenë shtëpinë.

"Thanë se do të rregullohet në shtator; nuk e rregulluan. Pastaj thanë se do e rregullojnë brenda tre muajsh. Asgjë nuk po rregullojnë. Asgjë"

"Muajin tjetër që pritëm na thanë se këtë muaj do ta rregullojnë, asnjë gjë. Ne po jetojmë me shpresa. Aman dhe kështu nuk rrihet", shprehen banorët.

Pas shembjes së këtij pallati kanë shpërthyer dhe ujërat e zeza që janë kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve.

Me fondin prej 2 milion euro, bashkia Lezhë premtoi rindërtimin e dy pallateve, por njëri prej tyre ende nuk është shembur.