PD bën kallzimin e tretë, çon në SPAK inceneratorin e Fierit

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dorëzuan padinë e tretë në Prokurorinë e Posaçme duke kërkuar që SPAK të fillojë hetimet për inceneratorin e Fierit.

Çlirim Gjata dhe Enkelejd Alibeaj e cilësuan procedurën e ndjekur në këtë rast ai aferë të pastër korruptive të kryer në bashkëpunim nga një numër zyrtarësh shtetërorë që kanë mundësia dhënien e miliona eurove nga buxheti i shtetit.

Opozita dorëzoi në SPAK padinë e tretë për çështjen e inceneratorëve duke i bërë thirrje prokurorisë të fillojë hetimet.

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj dhe Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata të cilët më herët kanë dorëzuar kallëzime për landfillin e Tiranës, dhe inceneratorin e Elbasanit, kërkuan tashmë hetim edhe për impiantin e përpunimit të mbeturinave në Fier.

Enkelejd Alibeaj: "Gara është bërë në shkelje të ligjit. Do të duhej që për shkak të shumës prej 28 milionë  euro, që do të ishte kostoja e projektit, do të duhet të botohej së paku në një gazetë europiane në mënyrë që të kishte garë, të kishte edhe të tjerë investitorë që mund të merrnin pjesë në garë. Asnjë gjë e tillë nuk u bë, sepse fituesi ishte i paracaktuar, ishte Klodian Zoto. Dhe kjo ishte shkelja e parë.

Shkelja e dytë- Sapo u deklaruan fitues, atë ditë ka ndodhur një gjë e çuditshme. Italiani, firma italiane, e cila u mor për eksperiencën që është një kusht i domosdoshëm ligjor, shiti kuotat e veta; 20 % e saj. Për sa e kanë shitur do të thoni ju? Për 20 mijë lek të reja (200 mijë lek të vjetra). Pra, vetëm për 20 mijë lek të reja është shitur për 20% të kapitalit të shoqërisë.

Sapo ka dalë fitues- dhe këtu dalim tek shkelja e tretë, pa hedhur një lopatë dhe, siç thuhet në këto  raste, ka marrë plot 5 milionë euro në xhepin e tij, zero investim"

Dy përfaqësuesit e PD-së thanë se edhe në këtë skemë janë përfshirë të njëjtët personazhe, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, Arben Ahmetaj, Lefter Koka, Alqi Bllako, si dhe përfaqësuesit e kompanisë, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Gjata tha se këto padi janë trajtuar si grup i strukturuar kriminal, shpërdorim detyre dhe pabarazi në tendera pasi të dyshuarit kanë bashkëpunuar mes tyre.

Çlirim Gjata: "Jemi në një rreth brenda të njëjtve njerëz , të cilët kanë përfituar prandaj dhe janë konsideruar si një grup i strukturuar kriminal, që fillon nga kryeministri, ministrat përkatës dhe deri tek personat që drejtojnë këto kompanitë. Pra, kemi përsëri një kompani, e cila pa para, pa garë, pa asnjë eksperiencë merr 28 milionë euro nga qeveria, ndërkohë që 15 milion euro i merr kredi për të bërë shpenzimet përkatëse "

Ata kërkuan nga Prokuroria e Posaçme të reagojë për vjedhjen që po u behet qytetarëve përmes miliona eurove të dhëna nga buxheti i shtetit për inceneratorët.

https://youtu.be/MRyr-kzxa0o