Nr.2 i gardës në vetting nuk justifikon ndihmat nga vëllezërit në emigracion
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konstatoi problem me pasurinë e zëvendëskomandatit të gardës së republikës, Besim Shabani, njëkohësisht edhe zv.drejtor për sigurinë fizike të personaliteteve të larta shtetërore.
KJV konstatoi se Shabani ka deklarim të pasaktë në deklaratën e vetting-ut, si dhe ka kryer fshehje pasurie. Sipas KJV-së, nr.2 i gardës nuk justifikon shumën prej 20 mijë dollarësh të dërguara nga i vëllai në Amerikë nëpërmjet shtetasve të huaj, të cilat i ka përdorur për blerjen e një apartamenti në vitin 2003.
Gjatë 15 viteve që Shabani ka patur llogari në një prej bankave nga Amerika janë dërguar 103 mijë dollarë, të cilat sipas komisionit nuk provohen të ligjshme. Komisioni nuk u bind dhe për dy llogari të tjera bankare që ai ka përdorur për transferta parash nga Anglia të dërguara nga vëllai dhe kunati.
Këto llogari Shabani i ka mbyllur dy muaj para plotësimit të deklaratës vetting, ndaj ky fakt interpretohet si fshehje të pasurisë dhe mungesë justifikimi e të ardhurave. Për këtë gjetje, zyrtari i gardës tha se nuk ka pasur dijeni si plotësohet formulari dhe koha prej 30 ditësh ka qenë e pamjaftueshme.
KJV tha se nuk ka gjetur probleme në pastërtinë e figurës dhe në aspektin profesional. Në përfundim të seancës për drejtuesin e njësisë që mbron personalitetet e larta shtetërore, komisioni u shpreh se data për dhënien e vendimit do të publikohet në një moment të dytë.
Zv.komandanti i gardës është zyrtari i 28-të që vlerësohet në kuadër të vettingut në polici, pasi më herët 21 prej drejtuesve të lartë të policisë janë rikonfirmuar, 3 janë përjashtuar dhe 3 të tjerë kanë dhënë dorëheqjen.