Revoltë antiqeveritare në Stamboll, dhjetëra të plagosur

Në Turqi të paktën 12 persona kanë mbetur të plagosur pasi policia turke përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit, që kundërshtojnë planet për rizhvillimin e parkut Gezi, pranë sheshit Taksim, në qendër të Stambollit. Disa persona u plagosën, pas rrëzimit të një muri, ndërsa përpiqeshin t'i shpëtonin ndjekjes së policisë. Prej katër ditësh, protestuesit bllokuan parkun Gezi, me qëllimin për të mos lejuar ndërtimin e një qendre tregtare, që do të shkatërrojë të vetmen hapësirë të gjelbër të qytetit.Duket se revolta drejtohej kundër kryeministrit Rexhep Taip Erdoan, i cili qëndron në pushtet prej vitit 2002, dhe shumë turq e akuzojnë qeverinë e tij si autoritare. Protesta u shënuan edhe në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, në Bodrum, Konia dhe Izmir. Të plagosur mbetën një gazetar dhe një Fotoreporter .