Luajti dhe shënoi kundër Kosovës, futbollisti i Moldavisë rezulton me Covid-19 pas ndeshjes

Kombëtarja e Moldavisë është tronditur nga lajmi se futbollisti i saj Ion Nikolaçesku ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19 pas barazimit 1-1 me Kosovën mbrëmjen e 3 shtatorit.

Lajmi bëhet i ditur nga “Telegrafi”, i cili ka marrë konfirmimin nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi se është njoftuar nga UEFA për rastin në fjalë.

Ai shtoi se FFK-ja do të respektojë çdo vendim të qeverisë së futbollit europian.

“Po, sapo na erdhi informacioni nga UEFA se sulmuesi i Moldavisë , i cili ka shënuar gol ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në testin e bërë pas ndeshjes. Vlen të theksohet se ai para ndeshjes e ka pasur testin negativ dhe atë dëshmi e ka lojtari dhe UEFA'', u shpreh presidenti i FFK-së Agim Ademi.

Tashmë ekziston frika se 21-vjeçari Nikolaçesku mund të ketë infektuar dhe shokët e skuadrës.