Naftëtarët fitojnë betejën, arrihet marrëveshja për rinisjen e punës në uzinën e Ballshit

Me thirrjet “Duam paret tona!” mesditën e sotme naftëtarët e Ballshit tentuan të futen me forcë në rafinerinë e naftës gjatë protestës së radhës këtë të enjte, 3 shtator, për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës.

Ata u përplasën ashpër me forcat e Policisë që kishin krijuar në barrikadë për të mos lejuar që uzina të merrej nën kontroll nga naftërarët.

Por e enjtja rezultoi ditë fitoreje për naftëtarët.

Kompania e re që do të vërë në punë uzinën u ofroi marrëveshje.

Direkt nisi nënshkrimi i marrëveshjeve individuale, ndërsa naftëtarët do të marrin një pagë paradhënie 50 mijë lekë.

Të hënën në këto kushte mund të rinisë puna në uzinë.

Ndërsa për pagat e prapambetura thuhet se kompania nuk do t’i japë të gjitha pasi një pjesë e tyre i takojnë kompanisë së mëparshme me të cilën është fituar gjyqi.

Puna në rafinerinë e Naftës në Ballsh u ndërpre vjeshtën e kaluar pasi firma që e menaxhonte akuzoi Bankers Petrolium se nuk e furnizonte me naftë bruto.

Prej asaj kohe, naftëtarët e mbetur të papanë dhe papaguar kanë protestuar në vazhdimësi ndërsa zhvilluan edhe një grevë urie.

https://www.youtube.com/watch?v=Quc-HXsUtws