Mali i Millos dhe deti i Dritanit
Një histori e gjatë është ajo e Malit të Zi në luftën drejt identitetit të ri shtetërorë, politikës së integrimit në BE dhe marrëdhënieve në rajon. Si u bë që ky shtet të jetë kryesues në integrim dhe po ashtu në dorën e një shqiptari! A do të mund të jetë Dritan Abazoviq kryeministër në Podgoricë?
Millo Gjukanoviq, pa dyshim ka hyrë në historitë e politikës Evropiane për dy arsye: një duke qenë kryeministri më i ri në Evropë dikur dhe për faktin që politika e këtij shteti ka ndryshuar aq shumë në tri dekada sa që ka arritur të ndryshoj nga nacionalizmi total deri tek diskutimet për një identitet qytetarë dhe jo të dominuar nga një etni. Tri dekada qeverisje të presidentit malazez e kanë pasur vetëm një gjë të përbashkët: Millo Gjukanoviqin. Në fillimet e tij, përmenden jo pak deklarime nacionaliste që në atë kohë ngjanin në një linjë me politikën e bërë në Beograd dhe me një pjesëmarrje nacionaliste, sidomos me një numër vullnetarësh kur ishte bërë lufta në Dubrovnik, ku një pjesë e madhe e malazezëve kishin marrë pjesë në mbrojtjen sulmuese të qytetit antik dalmatinas.
Vite më vonë, Millo kishte hequr dorë nga politikat që propozonte Serbia duke parë që megjithatë mbase rrugët do të mund të ndahen edhe për shkak të përgjegjësisë, por mbi të gjitha të një progresi të mundshëm që do ta shihte me një vizion më të qartë. Shpesh është besuar se asgjë nuk mund ta gjejë Millon. Nuk mund ta kapnin as aferat si kryesues të mafias së duhanit apo të një sistemi totalitarë-mafioz dhe të përfshirë në një korrupsion të madh shtetërorë që shumë besonin se Mali i Zi e kishte institucionalizuar i pari. Në luftën e rënies së ish-Jugosllavisë ka pasur jo pak tentime për ta kthyer në një situatë të ngjashme me shtetet e tjera të përfshira në incidente dhe mungesë tolerance ndër etnike. Millo ka bërë një shkëputje të qartë politike në vitin 1999, kur Kosova ishte në luftë, duke pranuar dhe duke strehuar gjithsesi, por mbi të gjitha duke lehtësuar rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës për në Mal të Zi gjatë bombardimeve të NATO-s, pavarësisht se ishte pjesë e shtetit të përbashkët. Pas viteve 2000 Malit të Zi ia mësyjnë turistët nga Rusia dhe ky vend kthehet në një dyshim për shkak të kapitalit të madh rus që mund të krijonte edhe ndikim për vendet e BE-së. Millo, paralelisht i ishte futur idesë se unionit Serbi- Mali i Zi, por me idenë e një referendumi tri vjet më vonë, 21 maj 2006, kur rezultati doli pozitiv për një pavarësi nga Serbia.
Këtë shumë serb nuk ia falën Millos, e mbi të gjitha politika atëherë nuk arriti të bëjë një diferencim të madh dhe ta pranoj me qejf shtetin e ri. Në Cetinje e deri në Podgoricë ka ekzistuar gjithmonë ideja e shtetit. Por, së fundmi ka arritur deklarimi i kombësisë dhe si shumicë janë deklaruar malazezët, pavarësisht së në një origjinë të përbashkët, serb janë deklaruar më pak se 30 për qind. Në vitet e fundit ideja e identitetit të ri malazez ka luajtur rol të rëndësishëm në politkë dhe këtu sidomos me ngritjen e tensioneve rreth ligjit për të drejtat fetare që padyshim se ndikoj në votuesit e Millos pasi kisha serbe bëri mjaft fushatë kundër qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), por edhe ka ngritur një vetëdije tjetër.
Mali i Zi është një shtet shumetnik në bazë të regjistrimit të popullsisë dhe nuk mund të funksionoj me tensione etnike. Por, ajo që Millo ka bërë padyshim është krijimi i një politike tjetër rajonale, në marrëdhënie të mira me Prishtinën, Tiranën, Zagrebin, Sarajevën dhe shtete të tjera. Jo shumë të mira me Beogradin. Por, ka futur Malin e Zi në NATO dhe të gjithë ata që ende besojnë se Bashkimi Evropian do të zgjerohet një ditë në Ballkan, besojnë se pikërisht Mali i Zi do të mund të futet në këtë organizatë i pari. Kjo mund të ndryshoj vetëm nëse kursi politik i këtij shteti ndryshon dhe krijohen tensione të pakthyeshme brenda dhe që nuk është pa rrezik. Integrimi i Malit të Zi është ndër më të rëndësishmit edhe për rajonin: si shtet I vogël mund të integrohet pa problem dhe të jep shpresë. Por, Millo që doli i pari në zgjedhje me pak përqindje do ta ketë të vështirë të formoj qeverinë edhe pse vazhdon si president. Këtu rolin më të rëndësishëm në skenë e ka shqiptari Dritan Abazoviq, një djalë i ri nga Ulqini. Arsyeja pse pak shqiptarë kanë dëgjuar për Dritanin është se ai ka bërë pak politikë në gjuhën shqipe. Ndonëse mjaft aktiv në Ulqin dikur, Abazoviq ka treguar një metodë të re të shikimit të Malit të Zi si atdheut të tij, e që këtu e ka përjashtuar nga klasa politike shqiptare që mori dy deputet në këto zgjedhje. Shumë vite më parë qe krijuar një parti politike që quhej “Mali i Zi pozitiv”.
Në një zyrë në një apartament të vogël në Podgoricë kreu i kësaj partie atëherë në një bisedë më reklamonte dy shqiptarë në listat e veta. Ishte pikërisht Abazoviq, i shkolluar në Sarajevë e Mal të Zi, një nga më të shkolluarit e parlamentit malazez, që do të futej në parlament. Abazoviq ka patur më vonë një histori të gjatë konfliktesh me Millon e deri tek momentet kur mund të krijohej përleshje fizike në parlament dhe ofendimet e thella. Abazoviq nuk është përmendur shumë as nga mediat shqiptare në Kosovë e Shqipëri për shkak se nuk është parë si element shqiptarë pavarësisht fuqisë dhe simpatisë që ai ka krijuar në mbarë shtetin. Abazoviq, në mbrëmjen e zgjedhjeve të së dielës ia urojë Malit të Zi lirinë. Shumë dyshonin që do ta kalonte pragun zgjedhor koalicioni i tij i quajtur URA, por Dritani lëviste gjithnjë sipër 5 për qind duke qenë subjekti i katërt politik në këtë vend. Opozita filloj të fitoj duke e quajtur fitore faktin që opozita mund të ketë më shumë se 50 për qind përfshirë këtu edhe grupin politik të shqiptarit që proklamon një opsion qytetarë, pa dallime dhe mbi baza meritokracie. Abazoviq ka deklaruar se do të jetë kryeministër dhe ai e ka këtë mundësi me 4 deputetët e listës. I pari DPS i Millos mund të marrë pakicat dhe i duhet një tjetër grup.
Në këtë rast vështirë së mund të bëjë pa Dritanin pasi të dytët, Fronti Demokratik që kryesisht përbëhet nga serbët dhe një parti tjetër që ka 12 për qind nuk i bashkohen. Opozita po ashtu duhet ta llogarisë Dritanin pasi, përveç tij, nga të gjithë kishte thirrje për pakicat pasi pa to asnjëra palë nuk duket bukur. Grupi opozitar i akuzuar është i akuzuar si pro serb dhe pro rus dhe Abazoviq, i cili proklamon një qeverisje ekspertësh dhe teknike ka mundësinë të vendos të ardhmen e Malit të Zi. Natyrisht shumë shqiptarë mund t’ia zënë për të madhe Abazoviqit që kërkon më shumë se sa vetëm trojet shqiptare. Ka patur një deklaratë jo shumë të qartë dhe mjaft problematike mbi prejardhjen e Skënderbeut, por ai ka arritur të tregoj se një përqindje qytetarie ekziston dhe se politika e tij ka një mbështetje. Shumë do të kapeshin për mbiemrin me “iq”, që nuk është për çudi kur bëhet fjalë për vendet si Mali i Zi, ndonjëherë shqiptarët në Serbi dhe madje edhe në Maqedoni me “ski”. Ulqinaku duket se e ka ndarë mendjen që nëse jo tani, një ditë, do të jetë kryeministër. Një gjë është e sigurt, tani e ka rastin!