Kim letër krerëve të partive: Mbani përgjegjësi dhe të bëhet vetting për çdo kandidat
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim u ka dërguar një letër kryetarëve të partive ku u kërkon që të mbajnë përgjegjësi për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme politike.
Ajo thotë se të gjitha partitë duhet të bëjnë vetting për kandidatët e tyre, dhe se ata që do të zgjidhen nuk duhet të jenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
"Ndërsa individët janë përgjegjës për të bërë të njohur të kaluarën kriminale, udhëheqësit e partive duhet të sigurojnë integritetin dhe vërtetësinë e deklaratave të atyre që kërkojnë të zgjidhen nën siglën e tyre”, thekson ajo.
Në letër, Kim shkruan se SHBA mbështet dëshirën e shqiptarëve për liderë më të mirë dhe përfaqësues.
"Mbani përgjegjësi për kandidatët. Kandidatët për deputetë të kenë integritet moral, të mos jenë subjekt për ligjin e dekriminalizimit. Ne inkurajojmë partitë politike që të kryejnë vettingun për çdo kandidat të tyre. Kryetarët kanë rol kryesor në mbajtje jashtë listave të njerëzve të korruptuar. SHBA është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit", shkruhet ndër të tjera në letër.
“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në luftën kundër korrupsionit dhe qëndrojnë në krah të secilit që kërkon të ndalojë zyrtarët e korruptuar të veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa u ndëshkuar”, shkruan ambasadorja amerikane, ndërsa thekson se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të drejtën e tyre për t’i ndaluar hyrjen në territorin amerikan zyrtarëve të korruptuar.
Ndërkohë të premten presidenti ka ftuar drejtuesit e partive në konsultime për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
