Rama: Intelektualët gjejnë strehë te dija e tyre, shqiptarët ikin se nuk duan të jenë skllevër të politikës
Për profesorin e praktikës për Marrëdheniet Ndërkombetare Shenasi Rama, një shtet nuk mund të funksionojë nëse njerëzit profesionistë largohen nga vendi.
Në një lidhje përmes Skype për 'RTV ORA', Rama tha se intelektualët gjejnë strehë te dija e tyre, ndaj dhe shqiptarët largohen për në perëndim.
Duke iu referuar raportit të OBSH se në Shipëri ka 12 mjekë për 1 mijë banorë, shifra më e ulët në Evropë, profesori tha se vetëm vitin e kaluar u larguan 360 mjekë.
Shinasi Rama: ‘’Një shtet nuk mund të funksionojë nëse njerëzit profesionistë si mjekët apo inxhinierët largohen nga vendi. Vetëm vitin e kaluar janë larguar 360 mjekë. Kjo është një shenjë që e para, shteti shqiptar nuk ka asnjë lloj interesi për ndërtimin e një sistemi shëndetësor që t’u shërbejë shqiptarëve. Nga ana tjetër, ka një kërkesë të madhe nga vendet e tjera, që nuk investojnë për përgatitjet e këtyre kuadrove, por i marrin të gatshëm nga shteti shqiptar.''
''Për të përgatitur një mjek, çdo shqiptar paguan taksa, direkt dhe indirekt, për 22 vite edukim të atij personi, në mënyrë që të bëhet ekspert i plotë. Këtë e marrin të gatshëm vendet e tjera. Intelektualët gjejnë strehë te dija e tyre. Mjekët nuk duhet të na habisin në këtë rast. Në Shqipëri do të ikin të gjithë njerëzit e aftë dhe do të shkojnë në botën perëndimore. Ky proces do të vijojë të përkeqësohet në të ardhmen.’’
Sipas tij, shqiptarët janë larguar sepse nuk i janë bindur politikës në vend, dhe nuk kanë pranuar të bëhen skllevër të tyre në sistemin kapitalist që është ndërtuar në këto vite.
Shenasi Rama: ‘’Ajo që po ndodh në Shqipëri është vazhdimi i plotësimit të politikës afatgjatë të parisë. Paria e Tiranës ka kërkuar të ndërtojë një sistem kapitalist, në të cilin do të ketë dy grupe njerëzish, borgjezia dhe skllevërit. Meqë shqiptarët në masë të madhe, nga një anë sepse ishin të vuajtur, të shkatërruar moralisht, pa dëshirë për punë, duke mos i besuar parisë dhe duke kërkuar shanse më të mira, emigruan në vende të tjera të botës. Por, paria ka nevojë për skllevër.
Duke qenë se shqiptarët nuk i binden politikisht, duke mos pranuar të punojnë me rrogat që vendos paria, duke qenë se sistemi oligarkik është i përqendruar vetëm në dorën e një grushti oligarkësh politik dhe ekonomik, atëherë paria ka vendosur me i zëvendësu skllevërit duke i thënë shqiptarëve, ju që doni të ikni, ikni dhe do sjell skllevër të tjerë që me durim do natyralizohen po do jenë gjithmonë të kontrolluar dhe të varur nga paria. Logjika e shpërfytyrimit të shqiptarëve si komb, e ka shkakun nga politika e ndjekur nga paria e Tiranës, për sistemin kapitalist, që do ketë skllevër dhe skllavo-pronar. Ata janë skllavo-pronar, ndërsa ata që do mbesin në Shqipëri janë skllevër.’’
Intervistoi në studio Beti Njuma, përgatiti për onlineRenato Çaushi.