Tenderat e bashkisë në kohë pandemie: U blenë suvenire, ujë i pijshëm
Pavarësisht se vendi ka qenë në izolim total, Bashkia e Tiranës nga mesi i marsit e deri në fund të prillit, rezulton të ketë zhvilluar 5 prokurime nga të cilat vetëm 2 kanë lidhje me pandeminë.
Vetëm 8 ditë pas shpalljes së gjendjes së emergjencës natyrore, ky institucion ka hapur procedurën për ato që mund të quhen edhe mjete luksi.
Me 17 mars në Agjencinë e Prokurimeve Publike është publikuar njoftimi i bashkisë së Tiranës për blerjen e suvenireve, kulla sahati dhe çelësa të Tiranës, me një fond limit 2.4 milionë lekë dhe blerje ujë për administratën me fond limit 1.6 milionë lekë.
Në të njëjtën periudhë u hap tenderi dhe për mbikqyrjen e punimeve për rikonceptimin e kopshtit zoologjik me një vlerë 9.9 milionë lekë.
Ndërkaq në 19 mars është hapur tenderi me objekt dezinfektimi i sipërfaqeve publike, stola, kosha, lulishte etj, me një fond limit prej 5 milionë lekësh.
Procedura e ndjekur është ajo përmes negociimit, pa shpallje paraprake të njoftimit dhe pjesmarrëse ka qenë vetëm kompania Pastrime Silvio e cila është shpallur automatikisht edhe fituesja.
Kohëzgjatja e shërbimit ishte 1 muaji ndërsa makina e dezinfektimit u pa pak herë të qarkullonte në Tiranë dhe në ato raste në shoqërinë dhe të kryebashkiakut Veliaj i cili transmetoi nga Facebook-i i tij. Prej asaj kohe pak kush e di si është dezinfektuar kryeqyteti.
Në 10 prill Bashkia e Tiranës hap një tjetër tender për “Blerje paketa ushqimore dhe joushqimore për ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë” me një vlerë prej 62.4 milionë lekësh.
Në Facebook i Veliajt publikonte rastet kur dërgonte ndihma me qese në dorë por nuk munguan akuzat nga qytetarët të cilët shpreheshin se nuk ju kishte shkuar njeri t’ju trokiste në derë, apo se pakot ishin të pamjaftueshme.
Të 5 prokurimet e zhvilluara në më pak se 40 ditë kapin vlerën e 81.6 milionë lekëve të reja pa TVSH.
