PD në mbështetje të stafit dhe gazetarëve të Ora News: Transparencë për hetimin e pronarit, Ylli Ndroqi

Partia Demokratike ka ndjekur me vëmendje njoftimin e Prokurorisë së Posaçme për hetimin pasuror ndaj pronarit të grupit mediatik ORA z. Ylli Ndroqi.

Ish-deputetja Albana Vokshi në një deklaratë për mediat tha se ndërsa PD mbështet çdo hetim, ndaj cilido, pa asnjë dallim dhe duke nxitur barazinë e plotë përpara ligjit, apelon për transparencë të plotë mbi këtë hetim, duke qenë se mund të vihet në rrezik serioz liria e medias.

Sipas Vokshit, pretendimet e avokatëve mbrojtës për një sulm politik ndaj klientit të tyre janë shqetësuese dhe kërkojnë shqyrtim serioz.

Shpejtësia e hetimit prej vetëm prej 7 ditësh, nga nisja e hetimit deri në paraqitjen e kërkesës në gjykatë për sekuestrimin e disa mediave, vlen gjithashtu të sqarohet, shtoi Vokshi.

Vokshi: Dërgimi i forcave policore për të rrethuar RTV Ora dhe Ora News, duke ushtruar presion  psikologjik mbi gazetarët dhe stafin hedh hije të forta dyshimi për mënyrën sesi u veprua, kohën kur u veprua dhe arsyet pse u veprua tani.

Partia Demokratike thekson se është në mbështetje të plotë të gazetarëve dhe stafit të RTV ORA dhe Ora News, duke i inkurajuar të vijojnë të palëkundur misionin e tyre në shërbim të publikut dhe interesit të qytetarëve.

Lexoni të gjitha lajmet:Goditje politike ndaj RTV Ora dhe Ora News