Covid-19 hyn në parlament infekton tre deputetë. Gjoni, Hysko e Roshi do mungojnë më 30 korrik
Koronavirusi Covid-19 hyn në Parlament. Deri në orën 11: 40 të paradites së sotme tre deputetë rezultuan se ishin pozitivë me COVID-19.
Deputeti i opozitës Parlamentare Ralf Gjoni e konfirmoi përmes një postimi në facebook ndërsa më pas u konfirmua se me covid kanë rezultuar pozitivë edhe deputetët Enver Roshi dhe Eljo Hysko. Të tre deputetët sipas rregullores duhet të qëndrojnë në shtëpi të izoluar dhe do i mungojnë seancës parlamentare të 30 korrikut kur do të votohen ndryshimet kushtetuese.
Ish deputeti i LSI-se, Vangjel Tavo propozon në mënyrë emergjente karantinimin urgjentisht të Parlamentit dhe tampon për të gjithë deputetët.
Ndërkohë në mëngjes rezultoi pozitiv dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ralf Gjoni: Mungon me 30 korrik
Permes një postimi në facebook ai informon se eshte drejt rikuperimit por se do të qëndrojë në izolim total në shtëpi për të mbrojtur të tjerët.
"Mirëmëngjes miq
Dje kam rezultuar pozitiv me Covid 19 pas tre ditësh temperature të lehtë e gjendjeje gripale. Sot jam më mirë dhe me sa kuptoj, drejt rikuperimit.
Mirënjohje të thellë për gjithë mjekët e komunitetin mjekësor që po përballet çdo ditë me këtë ‘armik’ të panjohur më parë."
Përhapja e koronavirusit është bërë me shpejtësi të frikshme dhe pa u ndjerë, madje Gjoni thotë se ai ka hyrë dhe në pallament.
"Kam kuptuar nga bisedat me mjekë e kolegë që gjatë dy javëve të shkuara, virusi është përhapur me shpejtësi të frikshme pa u ndjerë fare.
Kjo përhapje ka ndodhur në ambjente publike, dhe patjetër edhe në institucione shtetërore, përfshirë parlamentin.
Njerëzit po tregohen të pakujdesshëm dhe po refuzojnë të kuptojnë se Covid19 do disa ditë që të inkubohet në trup.
Në momentin që jep shenjat e para, ju mund të keni qenë i infektuar prej ditësh dhe ndërkohë mund t’ia keni kaluar virusin familjarëve e miqve të afërt. "
Gjoni thote se aktivitetin e tij parlamentar do ta vijojë ne distancë. Kjo lë të kuptojë qe do mungojë dhe në
seancën e 30 korrikut kur do të hidhen për votim ndryshimet kushtetuese.
"Gjatë dy javëve të ardhshme do qëndroj në izolim total në shtëpi për të mbrojtur të tjerët.
Me sa duket praninë fizike në javën më kyçe të angazhimit tim parlamentar, atë të hapjes së listave, do ma mohojë një virus i padukshëm.
Sidoqoftë, mbetem më i pērkushtuar se kurrë në distancë dhe ne kontakt të vazhdueshëm."
Sot rezultoi pozitiv me koronavirus edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj
Kjo e martë, 28 korrik, shënoi një rritje të numrit të pacientëve në dy spitalet Covid si dhe shtim të rasteve në terapi intensive. Në 24 orët e fundit u shënuan 4 viktima duke e çuar në 148 numrin total të personave që humbën jetën, 123 paciente janë në spital ndërsa 117 janë raste të reja.
Lexoni edhe: Koronavirusi: Kalohet në gatishmëri të shtuar, rriten rastet ditore dhe i pacientëve, 4 të vdekur