"Britania të qëndrojë në BE, Trump thjesht një demagog"
Listës së personaliteteve të cilët mbështesin idenë e qëndrimit të Britanisë së Madhe brenda BE-së i është shtuar edhe shkencëtari britanik, Stephen Hauking. Fizikanti theksoi se nëse britanikët do të vendosin që të largohen nga blloku me 28-antarë, atëherë vendi rrezikon që të izolohet. Sipas Hauking, qëndrimi brenda BE-së ka një sërë benefitesh në shumë sektorë, përfshirë ekonominë, sigurinë, arsimin, etj. Ndërkohë, ai komentoi edhe për kandidatin republikan Donald Trump, duke e quajtur miliarderin një demagog. Stephen Hawking, fizikanti dhe teoricieni britanik që konsiderohet si një prej shkencëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ka deklaruar se Britania rrezikon të izolohet nëse do të vendosë që të largohet nga Bashkimi Europian. 74-vjeçari u shpreh se ai mbështet idenë e qëndrimit brenda bllokut me 28-antarë, pasi sipas tij, kjo gjë i siguron britanikëve më shumë të mira në një sërë sektorësh, përfshirë ekonominë, sigurinë, marëdhëniet tregtare, arsimin, etj."Ne duhet që të jemi pjesë e një grupi të madh shtetesh në të mirë të sigurisë dhe tregtisë. Mundësia e largimit nga BE-ja ka bërë që monedha jonë paundi të shënojë rënie në tregjet ndërkombëtare, pasi të gjithë mendojnë se dalja nga unioni mund të dëmtojë ekonominë. Besoj se nga qëndrimi përfiton edhe arsimi, pasi studentët nga Bashkimi Europian mund të vijnë të studiojnë në universitetet tona dhe anasjelltas. Pa këtë shkëmbim ne do të rrezikojmë që të mbetemi të izoluar, gjë që mund të pengojë zhvillimin e mëtejshëm."Më tej, shkencëtari britanik komentoi edhe në lidhje me Donald Trump. Ai u shpreh se kandidati republikan nuk është gjë tjetër veçse një demagog. Sipas tij, Trump ka bërë shumë premtime për qytetarët amerikanë, por në shumë pak prej tyre ka një arsyetim racional./Oranews.tv/