SHBA paralajmëron Francën, mund të jetë objekt i sulmeve terroriste

"Kampionati europian i futbollit mund të bjerë pre e sulmeve terroriste", është ky paralajmërimi që vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka këshilluar qytetarët që të tregohen të kujdesshëm në rast se do të udhëtojnë drejt Francës. Nëpërmjet një postimi të bërë në faqen e tyre zyrtare, përfaqësuesit komunikojnë se zonat më të rrezikuara janë hapsirat ku do të qëndrojnë tifozët si dhe vendet ku do të transmetohen takimet. Kur duhen vetëm 10 ditë nga nisja e kampionatit europian të futbollit Euro 2016, i cili do të zhvillohet në Francë, autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se eventi mund të bjerë pre e sulmeve terroriste. Lajmi është përcjellë nga Departamenti i Shtetit, i cili vazhdimisht jep udhëzime për qytetarët amerikanë që udhëtojnë jashtë vendit. Nëpërmjet një postimi të bërë në faqen e tyre zyrtare në internet, zyrtarët kanë deklaruar se vendet ku do të grumbullohen një numër i madh tifozësh si dhe hapsirat ku do të transmetohen takimet e kampionatit përbëjnë objektiva që mund të goditen nga ekstremistët. Paralajmërimi i Departamentit Amerikan të Shtetit përforcon në këtë mënyrë deklaratat e bëra më herët nga përfaqësuesit e agjensive inteligjente europiane, të cilët gjithashtu kanë kërkuar që qytetarët të jenë vigjilentë, sidomos gjatë zhvillimit të kampionatit europian. Qeveria franceze ka nisur që të marra masa për të parandaluar cdo sulm të mundshëm, i cili mund të kërcënojë jetën dhe sigurinë e miliona turistëve që do të udhëtojnë për të ndjekur nga afër takimet e Euro 2016. Vetëm pak javë më parë, Parlamenti i Francës vendosi që të zgjasë gjëndjen e emergjencës, ndërkohë që ne terren është rritur ndjeshëm prezenca e forcave të sigurisë. Kampionati europian i futbollit do të nisë më datë 10 qershor dhe do të përfundojë më datë 10 korrik. /Oranews.tv/