"Drejtësia", riaktivizohen sërish ambasadorët për zgjidhjen e ngërçit

Ambasadorët e BE dhe SHBA Romana Vlahutin dhe Donald Lu janë riaktivizuar sërish për të gjetur kompromisin mes palëve me qëllim finalizimin e reformës në drejtësi brenda afateve. Në një kohë kur komisioni i reformës rrezikon të mos mblidhet këtë javë për shkak të bojkotit të PD-së, dy diplomatët e huaj janë takuar gjatë paradites me kryetarin e komisionit parlamentar të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj.Ndërkohë ambasadori amerikan Donald Lu ka zhvilluar edhe një takim me ish-kryeministrin Berisha. Sipas zyrës për shtyp të ish-kryeminsitrit, gjatë takimit ambasadori Lu e njohu zotin Berisha me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të arritur në një kompromis midis pozitës dhe opozitës për të votuar amendamentet kushtetuese brenda afatit të përcaktuar. Ndërkohë Berisha ka shprehur vlerësimin e tij për përpjekjet e ambasadorit Lu për arritjen e një kompromisi, në vlerësimin e tij plotësisht të mundshëm, midis paleve për votimin e reformës.Zyra e shtypit shprehet se në takim zoti Berisha u ndal në rëndësinë jetike qe ka zbatimi i ligjit te dekriminalizimit, duke u nënvizuar se Edi Rama nuk ka vullnet për zbatimin e këtij ligji. Mësohet se Berisha është shprehur se Rama, pasi ka futur ne Parlament vrases, pengmarrës, trafikantë jo vetëm qe nuk kërkon ndjesë por krahason ata me deputetë të dënuar për shkelje të rregullave të trafikut rrugor apo të burgosur me ligjin e arratisjes së kohës se diktaturës duke ju referuar Alban Zenelit dhe Flamur Nokës, që po sulmohet nga Partia Socialiste. Sipas zyrës së shtypit, Berisha është shprehur gjatë takimit se Rama mashtron diplomatë të huaj duke iu thënë se ai vërtet  ka futur kriminelë nga Veriu në Parlament, por ato zona ashtu qeverisen dhe se ata i ka marrë nga Berisha.Gatë takimit Berisha i ka garantuar diplomatit amerikan se lista e PD nga viti 1991 deri sot nuk ka absolutisht asnjë deputet apo kandidat për deputet të dënuar për krimet e konventës.Takimet e diplomatëve vijnë në një kohë kur mes palëve është krijuar ngërçi i radhës në reformën në drejtësi pas draftit të propozuar nga PD. Edhe pse takimi i pritshëm mes Ramës dhe Bashës gjatë kësaj jave mund të sheshonte disa mosmarrëvehsje, ai rrezikon të mos mbahet për shkak të përjashtimit 10 ditor që parlamenti i bëri ish-kryeministrit Berisha me kërkesë të mazhorancës. Këtë e paralajmëroi vetë kryedemokrati Basha kur tha se kjo shumicë nuk e do opozitën as në parlament dhe as në tryeza të tjera.