Sulmi në Paris ndaj ushtarit, policia: Nuk ka lidhje me ngjarjen e Londrës
Policia franceze vazhdon kërkimet për personin i cili sulmoi një ushtar në patrullë me dy kolegët e tij në kuartin afarist La Defens, në pjesën perëndimore të Parisit të Shtunën në mbrëmje.Ky incident ka ndodhur vetëm disa ditë nga sulmi makabër ndaj ushtarit britanik Lee Rigby, në Londër.Ushtari me uniformë po patrullonte së bashku me dy persona të tjerë, në kuadër të zbatimit të një plani antiterrorist të mbikëqyrjes, kur rreth orës 18.00 një person i paidentifikuar e kishte sulmuar prapa shpinës duke e therur me thikë në qafë, raportojnë mediat ndërkombëtare.Ministri i Mbrojtjes, Jean Yves Le Drian, u tha gazetarëve se viktima ka qenë në shënjestër për shkak të profesionit të tij. Por Presidenti Francois Hollande, ka mohuar një lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjen e ushtarit në Londër të Mërkurën.Dy të dyshuarit e arrestuar për vrasje në sulmin e Londrës mbeten në paraburgim në spital në një gjendje të qëndrueshme. Michael Adebolajo dhe Michael Adeboëale u qëlluan dhe u plagosën nga policia. Të shtunën, policia britanike arrestoi tre burra të tjerë të dyshuar për konspiracion për të vrarë ushtarin, baterist në profesion Lee Rigby, i cili nuk ishte në detyrë. Një burrë i gjashtë u arrestua të enjten.Ushtari në Paris është transportuar të shtunën në gjendje kritike, në spitalin më të afërt ushtarak. Shefi i Policisë, Pjer - Andre Pejvel, tha se ai kishte humbur shumë gjak, por është jashtë rrezikut për jetën.Ndërsa sipas gazetes "Telegraf", sulmuesi kishte ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes, kurse policia ka filluar kërkimin, duke aluduar se ky rast shihet si një lloj kopje e sulmit në Londër.Burime të policisë i kanë thënë "La Parisien" se i dyshuari për sulmin është një person me prejardhje veriofrikane me mjekërr, i moshës rreth 30 vjeç.