Tragjedi në Pakistan, vdesin 17 fëmijë në një aksident rrugor

Të paktën 17 fëmijë janë vrarë nga flakët pas shpërthimit të një autobuzi shkollor në lindje të Pakistanit.Sipas njoftimeve të policisë lokale, të paktën shtatë fëmijë të tjerë janë dërguar në spital pas rënies së zjarrit, që erdhi si pasojë e shpërthimit dhe që përfshiu të gjithë autobusin. Ngjarja ndodhi në periferi të qytetit Gujrat.Media lokale bënë të ditur se nga flakët humbi jetën një mësues, ndërsa cituan shefin e policisë të thoshte se shoferi i ka mbijetuar shpërthimit, por ai është larguar.Dar Ali Khattak tha për agjencinë e lajmeve "AFP" se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë kur shoferi ndërroi gazin me naftën. Ai shtoi se fëmijët që humbën jetën ishin të moshave mes 5 dhe 15 vjeç dhe vetëm pak kilometra larg shkollës së tyre në Gujrat, rreth 200 kilometra në jug-lindje të kryeqytetit Islamabad.Gazi natyror i presuar përdoret në miliona automjete në Pakistan, si një alternativë e lehtë në vend të dizelit dhe naftës. Për shumë shpërthime të mëparshme janë fajësuar cilindrat nën standardin e duhur, të përdorur për të mbajtur karburantin.