Autori i vrasjes në Londër, flet miku i tij: I kërkuan të punonte për MI5
Shërbimet sekrete britanike, MI5, i kërkuan të dyshuarit për vrasjen e ushtarit, Michael Adebolajo, nëse donte të punonte për ta rreth 6 muaj para se të ndodhte ngjarja, ka thënë një mik i vrasësit për agjencinë e lajmeve BBC.Abu Nusaybah, miku i Adebolajos tha ai e kishte refuzuar ofertën në fjalë nga shërbimet e brendshme të sigurisë.Por BBC nuk mundi të gjente konfirmim nga burime zyrtare për këtë deklaratë të Nusaybah, i cili u arrestua menjëherë pas intervistës në fjalë.Policia metropolitane e Londrës tha se 31-vjeçari u arrestua mbrëmjen e së premtes nën dyshimin për terrorizëm dhe se dy shtëpi që ndodheshin në lindje të Londrës u bastisën nga agjentët për kontroll.Policia saktësoi se arrestimi nuk lidhet direkt me vrasjen e ushtarit baterist, Lee Rigby, që ndodhi në mes të rruges pasditen e së mërkurës.Ndërkohë autorët e krimit të rëndë, Adebolajo dhe Michael Adebouale, që u arrestuan në vendin e ngjarjes, vazhdojnë të jenë të shtruar në spital pasi u qëlluan nga policia.Në intervistën e tij, Abu Nusaybah deklaroi se dyshonte për një ndryshim të karakterit të mikut të tij pas burgimit të tij nga forcat e sigurisë gjatë një udhëtimi në Kenia vitin e kaluar.Ai tha gjithashtu se shoku i tij i kishte thënë se ishte dhunuar fizikisht dhe seksualisht gjatë qëndrimit në burgun e vendit afrikan dhe se pas kësaj ngjarjeje ishte bërë një njeri i tërhequr dhe i mbyllur."Adebolajo më tha gjithashtu se pas kthimit nga Kenia ndiqej vazhdimisht nga agjentët e MI5-ës, të cilët trokisnin shpesh herë në derën e tij", tha Nusaybah.