Maqedoni, nuk ka zgjedhje në 5 qershor
Me 96 vota pro, deputetët e parlamentit maqedonas votuan pro-ndryshimeve në kodin zgjedhor që nënkupton automatikisht shtyrjen e datës së zgjedhjeve në një afat të pacaktuar. Propozimi për këtë ndryshim u bë pas iniciativës së marrë nga partia shqiptare e BDI-së së kryesuar nga Ali Ahmeti.Parlamenti maqedonas mbajti një seancë të jashtëzakonshme që u thirr nga kreu i kuvendit, Trajko Veljanovski, pas vendimit të marrë nga gjykata kushtetuese për e cila dha verdiktin për të pezulluar procesin e shpërbërjes së Kuvendit, anulimin e zgjedhjeve të parakohshme si dhe të gjitha aktet e tjera të miratuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Pavarësisht këtij procesi, dy partitë LSDM dhe PDSH, e kundërshtuan vendimin e gjykatës, duke u shprehur se kjo është një tjetër përpjekje e Gruevskit për të ruajtur pushtetin. Ndërkohë, ashtu sikurse pritej verdikti u mbështet nga VMRO dhe BDI.Edhe gjatë ditës së sotme, qytetarët maqedonas kanë marshuar në rrugët dhe sheshet e qyteteve kryesore, nën sloganin revolucion shumë-ngjyrës. Ata kërkojnë largimin e klasës politike aktuale, pasi sipas tyre, këta të fundit janë përgjegjës për praprambetjen e vendit në zhvillimin e proceseve demokratike.Ndërkohë, mediat kanë raportuar se zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan, Hojt Ji, ka thirrur në një takim pranë ambasadës ameriakane, liderët e katër partive kryesore maqedonase. Për situatën kanë reaguar edhe zyrtarë të BE-së përfshirë përfaqësuesen e lartë për politikat e jashtëme, Mogherini, si dhe eurokomisioneri Hahn, të cilët në fjalën e tyre kërkuan rrespektimin e marrëveshjes së Perzhinës dhe zgjidhjes së krizës përmes dialogut./Oranews.tv/