Surprizon sërish Sanders
Kandidati demokrat në garën presidenciale, Bernie Sanders, ka arritur që të mposhtë rivalen e tij, Hillary Clinton në përballjen partiake të zhvilluar në West Virginia. Edhe pse ndodhet në një disavantazh të thellë kundrejt ish-sekretares së shtetit, senatori i Vermontit do të tentojë që të bëjë të pamundurën deri në konvetën e demokratëve që do të nisë më datë 25 korrik në Philadephia.Në takimin e mbajtur me mbështetësit e tij, Sanders u shpreh optimist duke thënë se gara nuk ka përfunduar ende dhe se gjtihcka mund të ndodhë. "Rezultatet tregojnë se ne kemi regjistruar një fitore madhështore. Pas këtij triumfi në West Virxhinia dhe me ndihmën tuaj, ne do të shpresojmë për një tjetër fitore në Oregon gjatë javës që vjen" ishin fjalët e Sanders. Më tej, senatori i Vermontit lëshoi një sulm të drejtpërdrejtë kundrejt kandidatit republikan Donald Trump, duke thënë se pavarësisht ndasive që ekzistojnë mes tij dhe Clinton, ata kanë një qëllim të përbashkët, i cili është mposhtja e miliarderit në garën për Shtëpinë e Bardhë. Aktualisht ish-sekretarja e Shtetit Clinton mbetet favoritja për t'u nominuar si përfaqësuese e demokratëve në zgjedhjet presidenciale. Kur kanë mbetur edhe 12 gara nga fundi, ajo ka arritur që të fitojë 2.239 delegatë, ndërkohë që Sanders numëron 1469 të tillë. Për të fituar nominimin një kandidati demokrat i duhen 2.383 delegatë. Nga ana tjetër, republikani Trump ka arritur që të fitojë në Nebraska dhe në West Virxhinia, ndonëse pa asnjë kundërshtar përballë./Oranews.tv/