Bylykbashi ekskluzive për Ora News: Reforma zgjedhore paralel me drejtësinë

Bashkëkryetari i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore Oerd Bylykbashi, ka ritheksuar qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike, se kjo reformë është kusht për çdo reformë tjetër në vend, përfshirë atë në sistemin e drejtësisë. Bylykbashi, propozon që reforma zgjedhore të bëhet paralelisht me atë të drejtësisë.Bylykbashi: Reforma zgjedhore është reforma bazë, themelore që Shqipëria duhet të përmbushë me sukses tani. Është një kusht thelbësor. Besoj se dy reformat janë të lidhura në mënyrë të natyrshme. Suksesi i reformës në drejtësi është gjithashtu i varur nga suksesi i reformës zgjedhore.Platforma e Partisë Demokratike krahas kontrollit të plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private, parashikon si kusht kryesor votimin dhe numërimin elektronik.Bylykbashi: Vërtet votimi elektronik është një kusht. Absolutisht, pa të është e pamundur që ne të kemi një ndryshim thelbësor të procesit zgjedhor. Jo thjesht për ta bërë më të shpejtë dhe interesant. Kjo është një ndërhyrje që synon t’i kthejë besimin të gjithëve tek procesi zgjedhor.Por sa i mundur është që në vendin tonë të aplikohet një sitem i tillë votimi, i cili aplikohet në disa vende të zhvilluara? Ekspertët zgjedhorë dhe përfaqësues të shoqatave, të cilat ndjekin nga afër prej vitesh proceset zgjedhore, thonë se në rast të një vullneti të mirë politik kjo është e mundur.Gerta Meta, nga koalicioni i vëzhguesve: Nëse do të ketë një gjë të mirëmenduar, të mirëorganizuar dhe nëse palët do të hyjnë seriozisht për të realizuar një reformë të thelluar dhe gjithëpërfshirëse, duke konsideruar edhe një nga rekomandimet siç është përdorimi i teknologjisë për votim elektronik, absolutisht do të jetë një qasje shumë e mirë për të rikthyer besimin tek qytetarët tek proceset zgjedhore që vota e tyre mirëmenaxhohet dhe miradministrohet nga institucione që realisht e respektojnë verdiktin e popullit.Përfaqësuesja e koalicionit te vëzhguesve vendor, Gerta Meta, vlerëson se duhet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, ndërsa e sheh të vonuar punën e komisionit të posaçëm parlamentar kur na ndajnë pothuajse një vit nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017./Ora News/