Arrestimi i Arben Frrokut, problemet me shenjat e gishtave vonuan prangosjen

Arrestimi i Arben Frrokut nga autoritetet holandeze është vonuar për shkak të një problemi me shenjat e gishtërinjve të hedhura në faqen e Interpolit nga Policia Shqiptare. Autoritetet në Amsterdam kanë gjetur përputhshmëri në foton, gjeneralitetet e gjithçka tjetër, por jo tek shenjat e gishtërinjve. Policia tha dje se ditët e fundit ka patur disa komunikime me autoritetet holandeze, por vetëm dje u konfirmua arrestimi.Problemet me shenjat e gishtërinjve të të shumëkërkuarit, Arben Frrokut të hedhura në faqen e Interpolit nga Ministria jonë e Brendshme ka qenë shkaku i vonesës se arrestimit të tij nga policia holandeze.Mësohet se policia hollandeze nuk ka mundur të verifikojë menjëherë shkencërisht se personi i arrestuar ishte Arben Frroku, pasi nuk hapej sistemi ku ruheshin të dhënat e këtij personi të shpallur në kërkim, mes te cilave gjurmët e gishtave për të bërë krahasimin.Burimet bëjnë me dije se të dhënat për Frrokun jepnin problem dhe nuk hapeshin dhe kjo ka bërë që policia hollandeze ti kërkonte të dhëna të reja policisë shqiptare, por edhe asaj greke, për shkak se personi qe kishin ndaluar mbante pasaportë greke, por i lindur në Korçë.Autoriteteve shqiptare u është dashur të ridërgojnë edhe një herë të dhënat për Frrokun, të cilat pasi janë krahasuar kanë rezultuar se i arrestuari ishte 47 vjeçari i dënuar me burgim të perjetshëm.Menjëherë informacioni i është dërguar njëkohësisht Policisë, Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, të cilat kanë marrë masat për të nisur sa më parë proçedurat e ekstradimit.Dosja është përpiluar nga Drejtoria e Marrëdhënieve me jashtë e Prokurorisë së Përgjithshme, që ka përgatitur edhe kërkesën për ekstradim, e cila i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë.Kjo mund të realizohet në bazë të Konventës Ndërkombëtare për ekstradimin.Një ditë më parë Policia e Shtetit bëri me dije se Interpol Tirana ishte njoftuar në orën 17: 15 të ditës së enjte për arrestimin e Frrokut.