Rrëshqitje masive dherash në aksin Kukës-Shishtavec
Segmenti rrugorë Ura e Zapodit-Topojan, pjesë e aksit nacional Kukës-Shishtavec është bllokuar për më shumë se 6 orë si pasojë e rrëshqitjeve të masivit të dherave e gurëve duka u favorizuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë shoqëruar rajonin verilindor gjatë 48 orëve të fundit.Rrëshqitja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, por fatmirësisht në këtë segment rruge nuk po qarkullonte asnjë automjet pasi mund të rrezikoheshin jetë njerëzish.Firma që po punon për asfaltimin e lotit të dytë të këtij aksi ka ndërhyrë me 2 mjete të rënda për të bërë të mundur largimin e masivit të gurëve nga traseja e rrugës, ndërkohë është detyruar të improvizojë një rrugë alternative për qarkullimin e automjeteve.Abdulla Domi, sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës Kukës: Ka një shembje masive që në orët e para të mëngjesit. Janë marrë masa për hapjen e rrugës. Po punohet për pastrimin definitiv të këtij masivi.Në këtë aks nacional, si pasojë e terrenit të thyer e favorizuar edhe nga reshjet e shiut, fenomeni i rrëshqitjeve të masiveve të dherave dhe gurëve është shumë i përhapur.
/Ora News/