Gjyqi ndaj Dritan Dajtit, avokati kërkon 200 mijë euro për mbrojtje
Telenovela Dritan Dajti vazhdon në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku çdo seancë po kthehet në një seri që nuk duhet humbur pasi nuk mungojnë surprizat.Në kohën kur mendohej se ishte gjetur një avokat për ta mbrojtur, pasi Ndue Pjetra ishte i pranishëm në sallë, vjen edhe kërkesa e tij e çuditshme për të mbrojtur Dajtin, e cila çuditi gazetarët në sallë por edhe vetë gjykatën. Pjetra kërkoi 200 mijë euro edhe 30 ditë kohë për tu njohur me aktet. Kjo është një kërkesë e çuditshme, pasi Ndue Pjetra ishte caktuar avokat kryesisht nga gjykata dhe si i tillë ai nuk mund të bëjë kërkesa të tilla.Ndërkaq kërkesa e avokatit ka hasur në reagimin e shpejtë të prokurorit të çështjes, Ardian Nezha, duke i cilësuar kërkesat si mënyrë për të zvarritur proçesin dhe se ky avokat është bërë palë me të pandehurin.Ndërsa vetë Dajti u shpreh se i pëlqen performanca e këtij avokati dhe kërkon ti plotësohen kërkesat, pasi oferta prej 200 mijë eurosh është më e ulta që i është ofruar për mbrojtjen.Pas kësaj, gjykata është tërhequr për vendim dhe vetëm pas 60 minutash konsultim ka vendosur të rrëzojë kushtet e avokatit si të pabazuara në ligj.Kryesuesi i trupës, Idriz Mulkurti, i ka bërë të ditur se ai do të paguhet me tarifën prej 3 mijë lekësh të reja në ditë, e vendosur kjo nga Ministria e Drejtësisë. Pas kësaj, Ndue Pjetra është larguar nga salla duke lënë proçesin në pikën zero, ku i pandehuri largohet nga salla për shkak se nuk ka mbrojtës.Gjykata vendos dy avokatë të tjerë kryesisht dhe shtyn seancën për ditën e nesërme.