Me logon e “Whatsapp” shiste kokainë, arrestohet shqiptarja dhe i fejuari italian
Një shqiptare dhe një italian përfunduan në prangat e policisë në vendin fqinj pasi u kapën në flagrancë me disa doza anfetamine, kokaine dhe ekstazi, pranë një diskoteke në Ragusa.Të arrestuarit janë shqiptarja Xhesika Kaftirani, 22-vjeçare dhe i fejuari i saj italian Xhovani Nikastro, 26 vjeç.Të rinjtë kishin gjetur edhe një mënyrë për t’i bërë marketing drogës që shisnin. Pilulat kishin logon e rrjetit të njohur të bisedave “Whatsapp”. Të rinjtë qarkullonin shpesh në zonën afër diskotekës dhe policia italiane u vu në lëvizje pas informacioneve të ardhura në rrugë operative.Pas arrestimit të të rinjve, u zhvilluan kontrolle edhe në banesën e tyre, ku u gjetën qindra doza me ekstazi, disa doza kokainë, disa doza pluhur acetaminophen si dhe materiale për prerjen e drogës dhe një peshore profesionale.Shqiptarja 22-vjeçare u tha karabinierëve se e mbante anfetaminën në frigorifer, pasi aty droga konservohej më mirë, por nuk pranuan të bashkëpunojnë me policinë për sa i përket mënyrës së blerjes.
Hetimet e policisë italiane janë duke u përqendruar tek mënyra se si çifti blinte drogën dhe kush ishin ndërmjetësit. Nicastro është dërguar në burgun e Raguzës, ndërsa Kaftirani në burgun e Piazza Lanza në Catania.
/Ora News/