Pastrohet lumi i Tiranës, Hado: Ta mbajmë pastër qytetin dhe në periferi

Aksioni i Bashkisë së Tiranës “Të Pastrojmë Tiranën” është zhvendosur sot përgjatë Lumit të Tiranës.Ndërmarrjet e Bashkisë, por dhe banorë të kryeqytetit morën pjesë në pastrimin e shtratit të këtij lumi, kryesisht në zonën e Shish-Tufinës dhe në fshatin Ferraj.Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, tha se qëllimi i kësaj nisme është që qyteti të jetë i pastër edhe në periferi dhe jo vetëm në qendër.Hado: “Jemi këtu për të pastruar lumin e Tiranës, jemi në këtë zonë periferike pasi kemi qëllimin për të pastruar Tiranën, jo vetëm në qendër, por në të gjithë territorin e saj, kudo ku ka mbetje e ndotje. Jemi këtu për të ndërgjegjësuar qytetarët, për të kuptuar njëherë e mirë se Tirana duhet të pastrohet në çdo cep të saj. Tirana nuk është vetëm qendra, janë edhe këto zona periferike, si kjo zonë e largët ku jemi sot, ku vijmë me dëshirën për të ofruar shërbim, për të ofruar shembullin që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm, se Tirana duhet pastruar. Ne duhet të jemi të pastër, aty ku jetojmë sepse jeta jonë bëhet më e mirë, duke pastruar”.Aksioni vjen në kuadër të nismës “Të Pastrojmë Tiranën”, që Bashkia e Tiranës organizon çdo muaj duke u përpjekur që të sensibilizojë dhe angazhojë qytetarët në mbajtjen e ambientit të pastër.