Investitorët e huaj flasin për Ora News: Klima e biznesit e përkeqësuar

Investitorët e huaj e vlerësojnë të përkeqësuar klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Ata rendisin si shqetësimet kryesore moszbatimin e ligjit dhe gjykatat, teksa apelojnë Qeverinë që të tregojë kujdes me ndryshimet që do t’iu bëhen proçedurave tatimore dhe doganore, ku synimi është lehtësimi i tyre.Problemet me zbatimin e ligjit dhe gjykatat e kanë vështirësuar klimën e të bërit biznes në Shqipëri.Përfaqësuesit e Shoqatave të Investitorëve të Huaj shpjegojnë se perceptimet e kompanive janë përkeqësuar, duke renditur problemet me drejtësinë në shqetësimet kryesore.Marinela Jazoj: Për fat të keq përceptimi kohët e fundit nga ana e biznesit nuk ka qenë e mirë, nuk ka qenë pozitiv. Ato elementë të cilat janë parë më problematikë kanë qenë si gjithmonë pjesa e zbatimit të ligjit lidhur edhe me gjykatat në të njëjtën kohë dhe efikasitetit të gjyqësorit.Lorenc Gjoni: Nëqoftëse ka korrupsion nuk mund të thuash më sa i mirë është ligji apo proçedura sepse ato nuk do të zbatohen si duhet.Do të jesh duke u marrë me korrupsionin. Prandaj reforma në drejtësi është një nga elementët kyç për përmirësimin e ekonomisë shqiptare.Investitorët e mbështesin nismën e Qeverisë për lehtësimin e proçedurave tatimore dhe doganore, por janë skeptikë dhe apelojnë për kujdes me ndryshimet që do të bëhen.Lorenc Gjoni: Ne e vlerësojmë shumë këtë, kuptohet do të mbajmë pak rolin skeptik sepse vlera nuk duket vetëm tek nisma por tek frytet që do të japë më pas dhe tek mënyra sesi do të zbatohet kjo fazë e dytë e reformës për të ulur informalitetin apo për të formalizuar ekonominë.Marinela Jazoj: Për ne është kryesore që një vend të ketë besimin në ligj, ligjin e të drejtës, të ketë një ekonomi sa më formale, një korrupsion në nivele sa më të ulëta dhe të zbatojë rregullat e arbitrazhit ndërkombëtar.Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri evidentoi në anketimin e fundit se përveç  problemeve me drejtësinë, konkurenca e pandershme, ndryshimet e shpeshta të stafit të tatimeve, korrupsioni dhe ligjet e komplikuara fiskale, janë faktorët themelorë që kanë përkeqësuar klimën e të bërit biznes  në vend.