Përurime në Njësinë 5, Veliaj: Këtu do të pilotojmë parkimin në komunitet
Bashkia e Tiranës ka përfunduar rehabilitimin e një hapësirë prej 5.6 hektarësh në Njësinë Administrative nr. 5. Kryebashkiaku Veliaj gjatë përurimit, tha se investimi në këtë bllok vjen falë kontributit të taksave të qytetarëve.Veliaj: Kjo do të thotë se i kemi kthyer kësaj njësie ekzaktësisht shumën që ka paguar në taksa në katër vitet e fundit. Çka do të thotë se qytetarët i kanë në dorë investimet e tyre. Sa më korrektë të jenë me pagesat ndaj bashkisë, aq më korrekte do të jetë bashkia për t'ua kthyer qindarkë më qindarkë në investime të tilla.Veliaj njoftoi banorët se bashkia ka zgjidhur edhe problemin me parkimin.Veliaj: Për herë të parë, këtu do të pilotojmë edhe parkimin në komunitet me 162 vende parkimi. Duke nisur nga muaji tjetër, qytetarët do të mund të marrin kartën e rezidentit, duhet të provojnë që kanë një makinë dhe apartament në këtë zonë të rikonstruktuar, çka do u mundësojë të kenë vendin e tyre të sigurt të parkimit.I pranishëm në përurimin e investimit ishte edhe deputeti socialist Pandeli Majko, i cili tha se Bashkia e Tiranës ka sjellë një standard të ri, që shkon përtej bindjeve politike.Majko: Ky rregullim i kësaj infrastrukture i shkon edhe kandidatit të Partisë Demokratike dhe mikut tonë të përbashkët, Dr. Halimit, sepse i kalon afër shtëpisë dhe mendoj se nga ky investim kënaqen të gjithë, si të majtët dhe të djathtët.Kryebashkiaku Veliaj, tha se standardi i ndjekur në këtë njësi do të shtrihet në të gjithë Tiranën.