"Pjerin Ndreu liroi vëllain e kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit pasi ishte arrestuar"

Partia Demokratike denoncoi sot ndërhyrjen e deputetit socialist, Pjerin Ndreu, për lirimin e vëllait të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrëzit, që sipas saj ishte arrestuar një ditë më parë  nga forcat speciale.Enkelejd Alibeja nga selia blu tha se personi i arrestuar, Albert Tuci, ishte me precedent penal dhe i dënuar për trafik ndërkombëtar droge me 7 vite burg.Alibeaj: Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë, që tregon pabarazinë para ligjit, që tregon se nëse je i afërt me pushtetin ke lehtësi, favore dhe del menjëherë nga komisariati.Dje rreth orës 19.00 në Fushë-Arrës, është ndaluar me forca operacionale, vëllai i kryetarit të Bashkisë, Albert Tuci, person me precedent penal, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge me 7 vite burg. Policia e Fushë-Arrësit nuk ka pasur dijeni, është shmangur nga ky aksion, për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që i dyshuari ka në këtë Bashki.Pasi është mbajtur disa orë më pas në komisariatin e Pukës, Tuci ka fituar lirinë, me ndërhyrjen e deputetit Pjerin Ndreu.Dhe pas kësaj, një festë e madhe është zhvilluar në lokalin në qendër të Fushe-Arrësit, me dolli pa fund për deputetin Ndreu i cili i hoqi prangat të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë.Partia Demokratike e konsideron këtë ndërhyrje të paligjshme të deputetit Ndreu, si dëshmi e dy standardeve, e favorizimit të njerëzve në pushtet. Alibeaj: Ligji nuk vepron ndaj mikut të deputetit, ndaj vëllait të kryetarit të Bashkisë. Ky ndalim i ligjit para njerëzve të lidhur me pushtetin dhe me deputetët e Edi Ramës, është në fakt oligarkia.Çdo qytetar pa njohje, pa lidhje, do të ishte mbajtur në burg e do të ishte dënuar, qoftë edhe për një tullë të vënë pa leje.Ndërsa njeriu i deputetit të Ramës, edhe pse i dyshuar për vepra të rënda, edhe pse i ndaluar me forca speciale, fiton menjëherë lirinë pas ndërhyrjes së oligarkëve.Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të hetojë rastin, e të nxjerrë para përgjegjësisë deputetin e Edi Ramës dhe ata që urdhëruan lirimin e të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë së Fushe-Arrësit.