Zvicër, kapen 2 shqiptarët e arratisur nga burgu
Policia zvicerane ka njoftuar se ka arrestuar dy prej pesë të burgosurve, të arratisur disa ditë më parë nga burgu Bois-Mermet afër Lozanës.Dy personat e arrestuar janë një shqiptar, 34 vjeçar, i dënuar për trafik droge, dhe një kosovar 22 vjeçar, i dënuar për vjedhje, raporton AFP.Ata janë kapur në një banesë në një lagje të Lozanës, së bashku me një bashkëpunëtor serb, ndërsa një serb tjetër që dyshohet që i ka ndihmuar në arratisjen e tyre nga burgu, është arrestuar në Lucernë.Arratisja spektakolare ka ndodhur të martën në një burg të Lozanës, në Zvicër, prej nga janë larguar një shtetas serb, një shqiptar, një boshnjak, një kosovar dhe një francez.Sipas raportimeve të mediave kosovare, ideator i arratisjes ka qenë i burgosuri serb, anëtar i bandës së njohur kriminale Pink Panther, autore e një seri grabitjesh në vende të ndryshme të botës.Arratisja ka ndodhur gjatë orës së ajrisjes së të dënuarve, të cilët janë ndihmuar nga disa bashkëpunëtorë nga jashtë burgut.Këta të fundit, sipas burimeve, kanë vendosur një shkallë të gjatë metalike në muret rrethuese të burgut dhe kanë hedhur brenda kompleksit një thes me armë.Të pajisur me armët në fjalë, një pistoletë dhe mjete të tjera, të burgosurit kanë mundur të neutralizojnë gardianët dhe janë larguar.Pas largimit, policia e kantonit të Vaudit angazhoi një numër të madh agjentësh që nisën një gjueti të vërtetë për kapjen e të burgosurve, të cilët ishin dënuar për krime të rënda.Mësohet se shtetasi serb ishte dënuar për grabitje bizhuterish me vlerë 1.3 milion franga, shqiptari për trafik droge, kosovari dhe boshnjaku për grabitje, ndërsa francezi për krime të tjera të rënda.