Zyrtari i BB mesazh Ilir Metës: Vlerësim reformave për zhvillimin e vendit
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka marrë një mesazh falënderimi nga Zëvendës Presidenti Rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore i Bankës Botërore, Cyril Muller.Në letrën drejtuar Meta, Zëvendës Presidenti Rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore i BB vlerëson shkëmbimin e pikëpamjeve dhe diskutimin mbi trajektoren e zhvillimit të vendit dhe reformave kyçe.“Do të dëshiroja t’ju falënderoja për shtjellimin e pikëpamjeve tuaja, përfshirë progresin për Reformën në Drejtësi, kritike për rrugën e integrimit në BE të Shqipërisë. Jam i impresionuar nga angazhimi juaj i fortë për të çuar përpara këtë punë të rëndësishme, e cila është e domosdoshme për rritjen e transparencës, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Vëmendja e vazhdueshme për implementimin e reformave është kritike për rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe rimëkëmbjen e saj. Sikurse diskutuam, progresi në zbatimin e kontratave dhe ekzekutimin e kolateraleve është kritik për thellimin e stabilizimit të sektorit financiar dhe rritjes së kredisë”, - thotë Muller.Cyril Muller. Shprehet se ndihet i inkurajuar nga progresi i bërë nëpërmjet projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe shpreh kënaqësinë që disa çështje të implementimit që u diskutuan gjatë takimit vitin e shkuar në Washington, tashmë janë zgjidhur.“Mbështetja juaj e vazhdueshme për implementimin e suksesshëm të projekteve të financuara nga Banka Botërore është tejet e vlerësuar. Përfitoj gjithashtu nga ky rast të evidentoj me kënaqësi lidershipin tuaj për të ndërtuar konsensus në Parlament, mbi çështje të rëndësishme të legjislacionit që lidhen me agjendën e reformave të qeverisë në mjaft fusha që janë gjithashtu të mbështetura nga Banka Botërore”, - theksohet në mesazhin e Cyril Muller, Zëvendës President Rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore i Bankës Botërore.