Merkel: S’ka lehtësim të borxhit për Greqinë
Shkurtimi i borxhit grek nuk është i mundur sa kohë Greqia ndodhet në Bashkimin Europian. Kështu ka deklaruar kancelarja Angela Merkel, duke shtuar se Gjermania kërkon një përfundim sa më të shpejtë të shqyrtimit të marrëveshjes së shpëtimit.Deklarata e Merkel erdhi pas takimit që ajo pati me shefen e fondit monetar ndërkombëtar Kristinë Lagarde, dhe qëndron në një linjë me institucionin financiar i cili vijon të negociojë me Greqinë por pa premtuar ulje të borxhit.Kancelarja gjermane argumenton se lehtësimi i borxhit nuk mund të vihet në diskutim sa kohë Greqia ka demonstruar pajtueshmëri me kushtet e ndihmës.Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras shpreson që rishikimi i marrëveshjes të përfundojë me sukses, gjë e cila do të çbllokojë rreth 5 miliardë euro fonde në ndihmë të Greqisë, por gjithashtu do të hapej edhe rruga për bisedime mbi një lehtësim të kushteve me argumentin se greket janë të lodhur nga masat e gjata shtrënguese të vendosura nga Bashkimi Europian.5 miliardë euro janë të nevojshme për të shlyer kreditë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe për maturimin e obligacioneve të Bankës Qendrore Evropiane, si dhe për të shlyer detyrimet brenda vendit.Greqia nënshkroi një marrëveshje për 86 miliardë euro në 2015, pakti i tretë ndërkombëtar financiar që prej 2010, i cili e shpëtoi nga rreziku i falimentit. Deri më tani, ajo ka marrë 21.4 miliardë euro nga kësti fillestar prej 26 miliardë euro. Lagarde tha se FMN-ja është e vendosur të vazhdojë të ndihmojë Greqinë, teksa në fundjavë mohoi raportet se stafi i saj ka presionuar Greqinë me qëllim arritjen e marrëveshjes./Oranews.tv/