Reforma në drejtësi, Hahn: Ne do t'ju ndihmojmë por nuk mund të bëjmë punën tuaj
Komisioneri i Bashkimit Europian Johannes Hahn mesazhet që dha të veçuara në takimet me liderët e politikës i përforcoi në Këshillin Kombëtar të Integrimit. Ai tha se Shqipëria ka bërë progres por reforma në drejtësi sipas tij është kyçe që përcakton të ardhmen e vendit.Hahn: "E kuptoj sa e vështirë është të arrihet një marrëveshje për këtë çështje. Por ky është elementi kryesor për ne si Komision për të dhënë një raport pozitiv për çeljen e negociatave. Përfaqësuesit politikë duhet të arrijnë në kompromis siç kanë arritur në të shkuarën".Dhe kur kërkoi bashkëpunimin e politikës për reformën në drejtësi Komisioneri Hahn tha se Bashkimi Europian është në ndihmë të Shqipërisë por janë autoritetet vendase që kanë detyrë të bëjnë reformat.Hahn: "Ne jemi të gatshëm t'ju ndihmojmë por nuk zëvendësojmë punën tuaj. Kjo duhet të bëhet nga autoritetet tuaja, ne nuk mund të bëjmë punën tuaj. Ajo që kam dëgjuar sot në Tiranë tregon se Shqipëria nuk po e bën këtë reformë për të kënaqur BE, por sepse kjo reformë vjen dhe për zhvillimin ekonomik jo vetëm për investimet e huaja por edhe ato vendase".Por politika shqiptare në tryezë nuk i tejkaloi konfliktet dhe as sjelljen e së shkuarës.Përfaqësuesit e opozitës akuzuan mazhorancën se nuk po respektojnë shtetin ligjor si dhe po marrin masa për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme.Bylykbashi: "Sot sfidat më të mëdha janë jashtë proçesit zgjedhor, sjellja e policisë që toleron kriminelët të jenë në qendra të votimit, mungesën e sistemit të adresave që çon drejt manipulimit të listave të zgjedhjeve që ndodhi në 2015, paraja kriminale apo nga korrupsioni që po ndahet mënjanë për të blerë votat apo për të intimiduar apo për të moslejuar zgjedhësit për të votuar janë probleme të mëdha që nuk zgjidhen nga ligji".Balla: "Të paktën në këtë Këshill, secili nga ne duhet ti lërë jashtë kësaj salle axhendat politike të ditës, por kur vjen në këtë Këshill të flasë për axhendën europiane të Shqipërisë".Halimi: "Është një çështje që nuk është çështje e ditës së sotme, por është një çështje e funksionimit të shtetit ligjor që është respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe pa anashkalime".Ndërsa Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ngriti në Këshillin Kombëtar të Integrimit problemin e pronës duke atakuar ligjin e miratuar nga qeveria.Mediu: "Është një ligj i cili është terësisht, biles tenton akoma më tej të vendosë përballë detyrimit të ndryshimeve të Gjykatës së Strasburgut dhe frenimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut në favor të drejtës së pronës private duke mbivendosur shtetin mbi individin"./Oranews.tv/