Mustafa: Brenda kësaj jave caktojmë ministrat e rinj

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa edhe njëherë i tha jo kërkesës së opozitës së bashkuar për zgjedhje të parakohshme dhe, sipas tij, shumë shpejt do të takohet me kryetarin e Kuvendit, që tani është edhe udhëheqës i partisë me të cilën Mustafa është në koalicion, Kadri Veseli, për të parë mundësinë e një dialogu me opozitën.

Mustafa, po ashtu tha se brenda kësaj jave do të bëhen publik emrat e ministrave të rinj, pas rikonfigurimit të kabinetit qeveritar, si pasojë e shkuarjes së Hashim Thaçit nga posti i ministrit të jashtëm dhe zëvendëskryeministrit.Këto qëndrime, Mustafa i bëri të ditur pas takimit që kishte me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami. Përveç Mustafës, në takim me Bajramin mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.