Komunë e re serbe në Kosovë? Shpërthen debati për Prilluzhën
Opozita në Kosovë ka paralajmëruar sot një protestë kundër krijimit të një komune të quajtur Prilluzha. Protesta do të zhvillohet në Vushtrri gjatë mesditës. Sipas opozitës, kjo komunë do të krijohet me shumicë serbe.Por, në një reagim, Qeveria e Kosovës thotë se nuk ka asnjë plan për themelimin e një komune të tillë, duke shtuar se arsyeja e thirrjes së protestës është plotësisht e pavërtetë dhe e shpikur."Qeveria e Kosovës njofton opinionin publik se në asnjë moment nuk është biseduar me askënd për themelimin e asaj që përfaqësuesit opozitarë e kanë pagëzuar si 'komunë e Prilluzhës' dhe se ajo nuk është në plan që të realizohet", thuhet në komunikatën e Qeverisë.Qeveria e Kosovës thekson se thirrja e qytetarëve në një protestë kundër një “komune”, të cilën e kanë trilluar vetë subjektet opozitare, është konfirmim i plotë i faktit se tri partitë opozitare po sajojnë kauza për përfitime politike, duke u përpjekur të polarizojnë shoqërinë kosovare dhe të destabilizojnë, mbi baza të ndryshme, situatën në vend.Pak ditë më parë, deputeti serb në Kuvendin e Kosovës, Nehad Rashiç deklaroi se po ringjallet ideja për themelimin e komunës së Prilluzhës, ku përfshihet fshati me të njëjtin emër si dhe fshatrat Plemetin, Babin Most dhe Gracë. Fshatrat ndodhen në rajonin e Vushtrrisë./Ora News/