Në prag të gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin greko-maqedonas
Autoritetet në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë kanë kërkuar vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në kufi, për shkak të krizës së refugjatëve. Sipas Apostolos Tzitzikostas, guvernator i rajonit të Maqedonisë Qendrore, numri i emigrantëve të bllokuar në kufi në ditët e fundit, ka arritur në 13 mijë.Ata shprehen se nuk mund ta mbajnë më të vetëm këtë barrë. Sipas tyre, Gjendja e jashtëzakonshme do të lehtësonte furnizimin me ndihma.Maqedonia ka mbyllur kufijtë ndërsa lejon në territorin e saj vetëm sirianë dhe irakianë, ndonëse edhe ata duhet t'iu nënshtrohen kontrolleve të rrepta. Ndërkohë më herët, komisionari për Migrim i Bashkimit Evropian, Dimitris Avromopoulos, ka thënë se Greqia është e mbingarkuar me emigrantë dhe se e gjithë bota duhet të reagojë. Së paku 2,000 migrantë të rinj regjistrohen në Greqi çdo ditë. Mbi 125,000 njerëz kanë arritur këtë vit në brigjet greke - gati 12 herë më shumë se në tre muajt e parë të vitit 2015.Por UNHCR raporton se autoritetet maqedonase po kthejnë pas mijëra refugjatë siriane dhe irakene. Mijëra vetë kanë mbetur të bllokuar në Idomeni. Ata gdhihen nën qiell të hapur, lahen në qiell të hapur dhe qëndrojnë në rradhë për të rrëmbyer një copë bukë.Alal, një refugjat nga Idlib thotë:"Jemi nervozë, të pashpresë, pa para, të uritur, të sëmurë. Çfarë do bëjmë?! Askush nuk kujdeset për ne. kam 10 ditë këtu dhe askush nuk mendon. Kemi fëmijë të sëmurë me vete, kemi pleq. Çfarë do bëjmë?" 25 vjecari, Husam Jakal është përzënë nga Maqedonia: "Jemi këtu në kufi tani dhe është mbyllur. Kemi qëndruar jashtë. Qeveria maqedonase lejon vetëm 1 apo 2 vetë të kalojnë në një orë. Jemi përpjekur të kalojmë por kemi ngecur këtu". Policia greke kryen kontrolle të imtësishme të të gjithë emigrantëve, të dokumenteve të tyre, ndërsa nuk kanë munguar edhe pyetësorët për orë me radhë.