Këndi i lojërave, projekti sfidon dyshuesit për prerje pemësh dhe beton
Debati politik dhe publik për ndërtimin e parkut të lojërave tek Liqeni Artificial ka nxitur një zinxhir reagimesh dhe protestash. Nga njëra anë opozita dhe shoqëria civile e kundërshtojnë dhe nuk binden nga projekti i Bashkisë edhe pse ai garanton se nuk ka betonizim dhe prerje te pemëve.Fobia e kaosit të një Tirane që u shpërfytyrua në 25 vite nga ndërtimet dhe ngrehinat e betonit, kanë shkaktuar natyrshëm mosbesim.Por mendjet e ftohta nxisin qetësi, për t’ia kyrsyer fëmijëve sherrin deri në 1 qershor, kur pritet përfundimi i ndërtimit të këndit të lojërave.Këto pamje me fëmijë që luajnë dhe zëra e tyre të gëzueshëm kanë mbetur në kujtesën e qytetarëve të Tiranës më së shumti nga filmat e Realizimit Socialist.Prej dy dekadash këndet për fëmijë kanë qenë të sakrifikuara në kurriz të betonit dhe kaosit të ndërtimeve, duke u hyrë në borxh vogëlushëve të kryeqytetit.Ca këtu dhe ca atje në mes të rrugicave të lagjeve krejtësisht jo miqësore ndaj fëmijëve dhe vrullit të tyre për të luajtur me shokët dhe shoqet, familjeve shqiptare u është dashur të gjenin shpëtim në qendra tregtare për të argëtuar të vegjlit.Projekti i Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar një kënd lojërash për fëmijët u shoqërua me reagime të ndryshme dhe kryesisht kundërshti që lidheshin me vendin e zgjedhur për ta ndërtuar.Kritikët u shqetësuan për prerje pemësh, që siç shihet në projektin e Bashkisë së paraqitur përmes kësaj video nuk do të ndodhë dhe për betonizim që gjithashtu nuk parashikohet nëse i besojmë projektit të miratuar.Mungesa e besimit u ndikua nga marrëdhënia problematike e betonit në të shkuarën dhe frika për të ardhmen, duke prodhuar skena të dënueshme dhune.Aktivistë civilë u ndihmuan dhe nga politika në opozitë për të ngritur zërin ndaj asaj që e quanin mungesë transparence, paligjshmëri të nisjes së punimeve dhe rrezik për dëmtim të parkut.Prindërit dhe gjyshërit që e kanë parkun e liqenit destinacionin e vetëm të argëtimit dhe marrjes së ajrit të pastër shohin sesi përplasjet ja kanë lënë vendin vazhdimit të punimeve dhe i kanë sytë nga 1 qershori.“E shikojmë si shumë të nevojshme dhe të domosdoshme. Për mua, gjithmonë.”“Unë personalisht jam pro parkut të lojrave sepse Tirana ka nevojë që çdo fëmijë të argëtohet siç argëtohet në çdo vend tjetër”.Dyshuesit duket se nuk janë bindur ende dhe i sheh që të shëtisin përgjatë parkut për të moniturar punimet, siç i ka ftuar dhe kryebashkiaku Erion Veliaj që me këtë projekt po vendos dhe një bast të rëndësishëm me qytetarët e tij.“Unë druhem se ashtu siç është bërë 25 vite në Tiranë zona më pas mund të kthehet në zonë për ndërtime”.Joni Baboci është Drejtori i Urbanistikës në Bashki dhe tregon sesi do të kthehen 0.4 hektarë në një ambjent argëtues me lojëra të menduara për fëmijët e grupmoshave të ndryshme.Baboci: “Flasim për rreth 8 zona të ndryshme për fëmijë mosha nga 1 deri në 3 vjeç, 3 deri 6 vjeç, 6 deri 9 vjeç, fëmijë deri në 12 vjeç.Duam ta sigurojmë çdo njeri që na sheh që nuk po flasim për asgjë private në pjesën e parkut të liqenit. Flasim për një hapësirë rreth 4 mijë metra katror e cila në shumicën e sipërfaqes së saj natyrale mbulohet me një sipërfaqe tjetër më të përshtatshme për lodrat për fëmijë. E vetmja hapësirë e fortë është një hapësire rreth 400 metra katrorë në fund të vendit ku jemi këtu e cila do jetë pista për patina dhe për skateboard”.Kritikëve për vendin e përzgjedhur për parkun, Baboci ju sjell në vëmendje faktin se hijet e pemëve janë të rëndësishme për vogëlushët dhe ndaj arkitektët e masterplanit Bolles&Willson propozuan këtë vend.Baboci:“Në këtë zonë ka pemë ekzistuese të cilat krijojnë hijëzim për lodrat e fëmijëve”. Puna për ndërtimin e këndit të lojërave ka rinisur me ritëm për të fituar ditët e humbura dhe për të kapur 1 qershorin si ditën kur mini-treni do të shëtisë vogëlushët nëpër parkun natyral.Me 68 milionë lekë investim, Bashkia do të përfundojë këndin e lojërave të munguar në Tiranë.Këto janë faktet që dimë. Frikat dhe analizat për skenare orguzeza me qiellgërvishëse dhe beton, të frymëzuara nga interesa apo fobi të caktuara duhet t'ua kursejmë fëmijëve, të paktën deri ditën që do të jenë fantazi./Oranews.tv/